• Korabi-Partizani, tifozëve të kuq u tregohet “kufiri te thana”

    Publikuar: 17 Mar 4:26

    Ndeshja Korabi-Partizani, e vlefshme për javën e 26-të të Superiores, do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në kryeqytet, të shtunën, ora 14:00. Klubi dibran i futbollit, si organizator dhe mikpritës, bën me dije se prezentë në stadium do të jenë vetëm tifozët e Korabit. Në dispozicion të tyre do të vihen vetëm tribuna “VIP” dhe tribuna karshi, konkretisht tribunat “E” dhe “F”. Nuk do të lejohet asnjë baner, poster, veshje apo shall, ku përfaqësohen skuadra të tjera, veç atyre të Korabit. Nga ana tjetër, edhe klubi i Partizanit ka bërë sqarimin përkatës për tifozët e vet, të cilët vijojnë të jenë të dënuar nga FSHF-ja:

    “Sqarojmë opinionin publik në lidhje me mbarëvatjen e ndeshjes Korabi-Partizani: sipas rregullores që përmban aktiviteti, në ndeshjet, të cilat janë sankionuar të luhen pa spekatorë, nuk duhet të lejohet brenda rrethimit të stadiumit asnjë person, që nuk është zyrtar i klubit , zyrtar i ndeshjes, përfaqësues i autorizuar i FSHF-së, punonjës i policisë së shtetit, ose përgjegjës për ruajtjen e sigurisë në stadium. Po ashtu, në tribunën VIP të stadiumit mund të qëndrojnë vetëm 10 (dhjetë) zyrtarë, ose persona VIP-a për Partizanin, ndërsa portat e hyrjes për në tribunat e ekipit “mik” do të qëndrojnë të mbyllura. Sakaq, simbolet e grupimeve të tifozërisë përkatëse të Partizanit do të ndalohen për t’u shfaqur. Në rast të moszbatimit të rregullores së aktivitetit të FSHF-së, klubi i Partizani rrezikon të sanksionohet me gjobë. Kjo është një kërkesë edhe e FSHF-së për zbatimin rigoroz të rregullores për ndeshjen në fjalë.”


    Lexo postimet e tjera