Kampionati Shqiptar

Korçarët, apel Kukësit: Rishiko çmimet absurde të biletave të ndeshjes!

Që kur u bë publik çmimi i tyre, biletat e ndeshjes Kukësi-Skënderbeu u krahasuan me ato të Champions-it. Natyrisht, me ironi, sepse kushtojnë 10 mijë dhe 20 mijë lekë të vjetra. Gjithçka përqaset mes kushteve që ofron stadiumi “Zeqir Ymeri” dhe çmimit të tyre të kripur, që duket se rëndon vetëm xhepat e tifozëve korçarë, sepse për ata vendës është shpikur një mënyrë allashqiptare për t’i “subvencionuar”. Qenkan disa biznesemenë kuksianë, ata që do të blejnë biletat dhe pastaj do t’ua japin falas tifozëve. Një skemë e tillë duket hapur se është vetëm me qëllime dekurajuese për mbështetësit e Skënderbeut, që ata të mos kenë mundësi ta ndjekin skuadrën e zemrës në të ashtuquajturën finale e sezonit, sepse aty mund të vendoset fati i titullit kampion. Më së fundi ka ardhur edhe reagimi i klubit korçar, që kërkon nga Kukësi rishikimin e këtij çmimi absurd të biletave për ato 300 vende në stadium, të rezervuara për tifozët korçarë:

“E kuptojmë shumë mirë mundësinë që të jep një ndeshje e nivelit të tillë për të arkëtuar para për klubin nga shitja e biletave të stadiumit, por nuk mund të kuptojmë konceptin e përdorur për çmimin e vendosur. Kjo është sfidë e rëndësishme për çdo skuadër, por nuk mendojmë që vlera e caktuar do ta pasurojë sa duhet klubin kundërshtar për atë numër të biletave që u takon tifozëve të skuadrës së Skënderbeut. Një çmim i tillë nuk është aspak normal, duke marrë parasysh edhe faktorët e tjerë që tifozët e Skënderbeut kanë për të udhëtuar nga Korça në Kukës. I bëjmë thirrje ekipit të Kukësit ta rishikojnë edhe një herë këtë absurditet në lidhje me çmimet e biletave, pasi ky trajtim nuk është parë dhe as nuk do të shihet ndonjëherë në Korçë. Gjithçka kërkohet është realitet dhe “fair-play”, pasi futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit e t’i afrojë ato pranë stadiumeve, jo t’i ndajë.”

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar