Bundesliga

Kovac në “fije të perit”, ja emrat e mëdhenj për stolin e Bayern Munich

Për të dytin vit radhazi, në shtëpinë e Bayern Munich mund të ndryshojë trajneri pas dy muajsh nga fillimi i sezonit. Me katër ndeshje radhazi pa fitore, në kampionat dhe Champions, pozita e Niko Kovac duket gjithnjë e më e lëkundur, si një “karrige në rërë”.

Dueti menaxhues i klubit bavarez, Hoenes-Rummenigge, duket se ka filluar të shikojë përreth, pavarësisht se deklarojnë se do ta mbështesin trajnerin aktual deri në “vdekje”. Në listën e emrave, që shikohen si kandidatë për stolin e skuadrës nga “Allianz Arena”, janë disa: Zinedine Zidane, Antonio Conte, Arsene Wenger dhe Laurent Blanc.

Ish-trajneri i Real Madridit është më favoriti, por agjenti i Zinedine Zidane, Alain Migliaccio, ka lënë të kuptohet se klienti i tij nuk do të marrë në konsideratë oferta para verës së ardhshme. Pesha e emrave të spikatur të trajningut europian, që kanë dalë nga gazetat gjermane, qëndron mbi supet e Kovaç.

Ai arriti në verë në stolin e Bayern Munich, klub me të cilin ka një kontratë deri në vitin 2021. Puna e tij e pabesueshme me Eintracht Frankfurt e bindi presidentin Hoeness ta merrte kroatin në vend të Jupp Heynckes. Ai u kthye për ta mbrojtur trajnerin fuqishëm në këtë kohë të vështirë (unë do ta mbroj atë deri në vdekje), por rezultatet janë kundra.

Më shumë nga Bundesliga