Boks

Kovalev humbet titullin kampion, Alvarez e hedh “KO” në raundin e shtatë

Boksieri 35-vjeçar rus Sergey Kovalev humbi titullin kampion bote të peshës “light heavyweight” në kategorinë WBO, pas humbjes me KO teknik në raundin e shtatë ndaj kolumbianit Eleider Alvarez, ende i pamposhtur në karrierën e tij (24 fitore e asnjë humbje). Një kombinim i fuqishëm i grushteve në fundin e raundit të shtatë vuri në vështirësi Kovalev, që përfundoi te litarët e ringut, i pamundur të reagojë, duke detyruar gjyqtarin e duelit ta ndalë atë.

Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem. Unë doja me çdo mënyrë t’i tregoja Sergey se jam më i fortë se ai dhe ia dola mbanë. Jam në formë dhe jam gati për të bërë gjëra edhe më të mëdha në të ardhmen”, tha Alvarez. Edhe pse Kovalev u përpoq të rivalizojë dhe të zgjasë dominimin e tij në këtë division, nuk ia arriti dot mbanë, duke u mundur në testin e parë të vërtetë në këtë peshë, që pas dy humbjeve ndaj Andre Ward.

Kovalev ishte më agresiv deri në ato momente dhe deri para raundit të shtatë po e udhëhiqte me pikë duelin, por në rastin e parë që iu dha, Alvarez tregoi aftësitë e tij, duke goditur ashpër rusin dhe nuk id ha mundësi të mbrohet, duke realizuar një nga rezultatet më suprizë të boksit për këtë vit. Kolumbiani e rrëzoi dy herë në tapet rivalin rus, duke e mbyllur duelin 15 sekonda para se të bjerë gongu, para 5.600 fansave në Nju Xhersi të Amerikës.

Pas duelit, Kovalev përfundoi në spital për një kontroll mjekësor, por pa asgjë serioze. “Jam mirë. Falënderoj të gjithë për mbështetjen dhe përshëndes fansat anembanë botës. Ju dua dhe ju konfirmoj se jam mirë”, tha Sergey Kovalev, 32 fitore, 3 humbje dhe 1 barazim në karrierën e tij.

Më shumë nga Boks