Boks

Kovalev nuk tërhiqet, më 25 nëntor rikthehet në ring ndaj Shabranskyy

Pasi humbi titujt kampionë bote në peshën “light heavyweight” në dy përballje radhazi me Andre Ward (e fundit më 17 qershor të këtij viti), boksieri rus Sergey Kovalev ka vendosur të rikthehet sërish në ring më 25 nëntor. Këtë herë, ish-kampioni i botës do të përballet me ukrainasin Vyacheslav Shabranskyy, një sfidë që do të zhvillohet në “Madision Square Garden” të Nju Jorkut. Pas dy humbjeve me radhë ndaj Ward, të parat dhe të vetmet në karrierën e  boksierit rus (ka edhe 30 fitore e një barazim), qarkulluan zërat se Kovalev do të tërhiqet nga sporti. Por Kovalev ka konfirmuar se pavarësisht moshës (34 vjeç) dhe humbjeve, është gati të rikthehet në ring, për të rimarrë titujt që mbante deri para 3 muajsh.

Sergey Kovalev gjate duelit me Andrea Ward

Ukrainasi Shabranskyy, 30 vjeç, ka vetëm një humbje në 20 duele të zhvilluara si profesionist, një rival i fortë, ndaj dhe sfida me Kovalev pritet të dhurojë shumë emocione. “Kam mësuar shumë nga dy sfidat e humbura me Ward. Kur nuk fiton dhe kur ndjen epërsinë e kundërshtarit, ti bëhesh më i fortë. Kjo të tregon edhe se cilët janë realisht miqtë e tu të vërtetë”, tha Kovalev. Më tej, boksieri rus shtoi: “Duket sikur sapo kam përfunduar pastrimin e jetës time dhe tani jam gati për të nisur një jetë të re në ring. Mezi po e pres këtë rikthim në ring dhe do të dueloj për herë të parë në “Madison Square Garden”. Jam fokusuar tek e ardhmja dhe nuk do të shoh më pas”, tha Kovalev.

Boksieri ukrainas Vyacheslav Shabranskyy

Më shumë nga Boks