Volejboll

Kroacia mund 3-2 Shqipërinë, kuqezinjtë mbyllin aventurën në Ligën e Europës

Kombëtarja e meshkujve në volejboll është mundur sot në mbrëmje 3-2 nga Kroacia, në ndeshjen e gjashtë dhe të fundit të Grupit B në Ligën e Europës. Kjo është humbja e pestë e Shqipërisë në këto eliminatore, ku arritie dhe një fitore. Ashtu si katër ditë më parë ndaj Hungarisë, djemtë kuqezinj arritën të rikuperojnë një disavantazh 0-2 me sete, duke barazuar 2-2, por pa mundur të bëjnë edhe hapin final. Një lojë me hope e kombëtares shqiptare, që nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje në fushën e saj edhe pse e kërkoi me ngulm këtë gjë. Shqipëria eliminohet kështu nga ky turne, të cilit një vit më parë iu afruar shumë.

Ndeshja nis keq për kuqezinjtë, që në setin e parë janë thuajse inekzistentë në fushë, duke u mundur thellë 25-11, por e njëjta pamje vërehet edhe në setin e dytë, ku miqtë nga Kroacia kanë komandën e lojës në dorë, shkëputen dhe fitojnë 25-18. Në setin e tretë loja bëhet mjaft interesante, kuqezinjtë ngrenë ndjeshëm nivelin dhe arrijnë të tregojnë forcën. Fundi i setit është dramatik, me kuqezinjtë që anullojnë dy shërbime të kroatëve për të fituar takimin dhe Shqipëria fiton 29-27 në pikët shtesë, duke rihapur ndeshjen.

Mjaft e bukur ndeshja edhe në setin e katërt, me miqtë që dominojnë deri në 13-16, moment kur Shqipëria bën përmbysjen e madhe, duke dalë në avantazh 18-16 dhe e ruan këtë epërsi deri në fund, duke luajtur mirë dhe fituar 25-21. Barazim 2-2 me sete dhe emocionet vijojnë në setin final, ku djemtë kuqezinj janë vazhdimisht në epërsi, duke luajtur më mirë se kroatët. Por ndërrimi i fushave ndal lojën e mirë të kuqezinjtë, ndërsa miqtë nga Kroacia rikuperojnë dhe fitojnë setin final 15-11 dhe krejt ndeshjen 3-2.

Shqipëri – Kroaci, 2-3 (11-25, 18-25, 29-27, 25-21, 11-15)

SHQIPËRIA: Kola, Gjoklaj, Koçi, Arapi, Husaj, Malaj, Qepa, Kula, A.Qafarena, Çullhaj, Baruti, Gaxiri, Bërdufi, Deliu. Trajner: Jani Melka

KROACIA: Zhukouski, Dirlic, Galic, Giljanovic, Sadlacek, Dukic, Sestan, Visic, Peterlin, Pervan, Andric, Mihaj, Peric, Smiljanic. Trajner: Ivan Rancic

Gjyqtarë: Petar Harizanov (Hungari), Endri Zguri (Shqipëri)

Më shumë nga Volejboll