Connect with us

Meshkuj

Kroqi jep dorëheqjen pas titullit, Mikopli trajneri i ri i Vllaznisë

Mark Kroqi nuk do të jetë më trajneri i ekipit të volejbollit të meshkujve të Vllaznisë. Ai ka dhënë dorëheqjen nga ky post për shkak të angazhimeve të tij si drejtor i klubit. Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për shtyp që vetë Kroqi ka shpërndarë. “Pas një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe shumë impenjative të kaluar në drejtimin e ekipit të Vllaznisë, shoqëruar me plot emocione, gëzime e netë pa gjumë si dhe pas sadisfaksionit të papërshkrueshëm që më ka sjellë fitorja për herë të parë në historinë e volejbollit shkodran e titullit kampion, mora një vendim shumë të vështirë por të domosdoshëm për mua, atë të largimit nga detyra e trajnerit të ekipit të të rriturve të Vllaznisë”, thotë Kroqi.

Mark Kroqi, shefi i klubit Vllaznia

Më tej, ai shton: “Këtë vendim e mora shkak të impenjimeve të shumta dhe të pamundësisë për ta ndjekur skuadrën me të njëjtin përkushtim si më parë. Falenderoj djemtë e ekipit për punën e palodhur, Bashkinë, tifozërinë dhe familjen për mbështetjen që më kanë dhënë dhe i premtoj se do t’i qëndroj përsëri afër tyre me të gjitha mundësitë e mia”. Trajneri i ri është gjetur menjëherë. Ai është Adrian Mikopli, një ish-volejbollist i njohur i Vllaznisë së viteve ’80, që sezonin e fundit ka drejtuar ekipin e të rejave me të cilin është shpallur kampion i Shqipërisë. Vendimi është marrë pas konsultimeve me specialistë të këtij sporti dhe Mikopli duket se ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme në këto momente për të marrë drejtimin e ekipit kampion në fuqi të vendit.

Adrian Mikopli trajneri i ri i Vllaznise

Më shumë nga Meshkuj