• Kualifikim me pesë “yje” për Manchester City!

    Publikuar: 6 Jan 10:43

    Manchester City ka fituar thellësisht, 5-0 në fushën e West Ham, duke u kualifikuar për në 1/8-t e finaleve të “FA Cup”, Kupa e Anglisë, veprimtaria më e vjetër në botë, e para në historinë e futbollit (edicioni i parë ka qenë 1871/72). City i ka harruar, për një moment, problemet në kampionat dhe kualifikohet, pas një prove force në stadiumin “Olimpic” të Londrës ndaj ekipit të drejtuar nga Slaven Bilic.

    Skuadra e Pep Guardiola pati probleme derisa u mbush gjysmë ore lojë, por më pas shënoi tre herë në harkun e dhjetë minutave, duke e gjunjëzuar West Ham, që në pjesën e parë. Yaya Toure shënoi golin e parë me 11-metërsh, në minutën e 33-të. Tetë minuta më vonë, Sterling “detyroi” mbrojtësin kundërshtar Nordveit të shkaktonte një autogol, ndërsa pas dy minutash sulmuesi “ndërtoi” golin e tretë për miqtë, firmosur nga David Silva.

    Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Sergio Aguero, i shërbyer nga Yaya Toure, realizoi golin e katërt për ekipin e Pep Guardiola. Në fund, pati kohë për lavdi edhe për qendërmbrojtësin John Stones, autori i golit të pestë për City, gjatë një episodi që pati nevojë për teknologjinë e vijës fatale për të konfirmua vlefshmërinë.  Të shtunën dhe të dielën do të luhen ndeshjet e tjera që do të kompletojnë kuadrin e 16 ekipeve që do të vazhdojnë më tej në këtë veprimtari.


    Lexo postimet e tjera