Futboll

Kukësi “fundos” Teutën me përmbysje

Java e 15-të e kampionatit të Kategorisë Superiore është përmbyllur me ndeshjen Teuta-Kukësi e përfunduar me rezultatin 1-2. Një fitore me përmbysje ajo e Kukësit, që rimerr pozitën e tij në vendin e dytë të klasifikimit, në kuotën e 25 pikëve, 9 më pak se Skënderbeu i vendit të parë. Nga ana tjetër, Teuta e mundur me përmbysje, tashmë gjendet në zonën e akullt, duke u renditur në vendin e parafundit të klasifikimit, me 7 pikë më shumë se Lushnja e vendit të fundit dhe me pikë të barabarta me Vllazninë, 15.

Ishin durrsakët ata që kaluan të parët në avantazh, me Latif që dërgon lehtësisht topin në rrjetë, pasi më parë Hila kishte goditur shtyllën. Një epërsi provizore që ka zgjatur deri në minutën e 43’. Me vetëm 2’ minuta nga përfundimi i pjesës së parë, bomberi i verilindorëve ka barazuar shifrat. Është pikërisht Bakaj, që pas prekjes së topit me dorë nga Hakaj, ka shndërruar në gol penalltinë e akorduar nga arbitri. Me rifillimin e takimit, pas pushimit të ndeshjes, Kukësi përmbys gjithçka, duke kaluar në avantazh falë golit të realizuar nga Ethemi në të 46’. Pikërisht kur gjithçka po shkonte shumë mirë për kampionët në fuqi, ai që vështirëson gjërat është kapiteni Shameti, i cili ka lënë të tijtë me 10 futbollistë, pasi është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, duke u detyruar të lërë fushën në të 71’. Gjithsesi asgjë nuk ndryshon në rezultat.

Teuta – Kukësi 1-2

Shënues: Latif 31’ / Bakaj 43’, Ethemi 46’

Teuta: Kastrati, Beqja, Shkalla, Sykaj, Hakaj, Lena, Hila, Dediç, Çyrbja, Reza Karimi, Latif.

Trajner: Gugash Magani

Kukësi: Koliçi, Idrizaj, Shameti, Hoxha, Rrumbullaku, Ethemi, Musolli, Imami, Kale, Bakaj, Guri.

Trajner: Mlladen Milinkoviç

Arbitër: Enea Jorgji.

 


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll