Kampionati Shqiptar

Kukësi mposht Laçin, tre gola për tri pikë (Video)

Kukësi ka fituar pastër kundër Laçit në javën e tretë, duke barazuar përkohësisht Skënderbeun në kreun e renditjes me 7 pikë. Kampionët e Shqipërisë kanë vuajtur jo pak gjatë 45 minutave të para, por në të dytën kanë gjetur 3 gola, duke siguruar 3 pikë me mjaft vlerë, ndaj një kundërshtari që të hap problem, ashtu siç surprizuan në startin e kampionatit kundër Partizanit. Përveç fitores, sulmuesit e Kukësit janë zhbllokuar dhe kjo është positive, ndërkohë që trajneri Milinkoviç më në fund ishte i kënaqur nga loja e të tijve.

Pjesa e parë ka qenë e barabartë. Vërtet Kukësi mund të ketë qarkulluar topin më shumë se Laçi, por rastet për shënim kanë qenë të pakta, ku vlen të përmendet një gjuajtje e Bakajt, që devijohet me mjaft mjeshtëri nga portieri Selmani. Laçi nuk ka qëndruar duke u mbrojtur gjatë gjithë kohës, por kurbinasit kanë vuajtur në fazën finalizuese. Fraksioni i parë ka përfunduar në barazim pa gola dhe presioni është shtuar për verilindorët.

 

Në pjesën e dytë kampionët kanë shtuar forcën sulmuese. Goli nuk dilte dhe kjo ka shqetësuar jo pak trajneri Milinkoviç, që është parë i nervozuar me të tijtë. Porn ë të 72’, në një aksion pa shumë pretendime, mbrojtja e Laçit është treguar e pavëmendshme dhe Alijev gjuan në një kënd të prirët për në portë, Fangaj e devijon dhe e fut në portën e tij. Menjëherë pas golit të pësuar, Xhixha shënon për kurbinasit, por anësori Redi Avdo ishte vigjilent, duke anuluar me të drejtë golin në pozicion jashtë loje.

Në minutën e 77-të, në një tjetër aksion të kuksianëve, Kale kroson për Bakajn në zonë, por çuditërisht topi përfundon në rrjetë. Festë e ligjshme e kuksianëve, ndërsa Laçi që dorëzohet. Më pas ritmi i lojës bie ndjeshëm. Gjithsesi, ka vend edhe për një gol të tretë nga Bakaj, që shënon në të 86’. Përfundon 3-0, një fitore e pastër, e merituar dhe Kukësi mban ritmin në krye si kampion.

 

Kukësi-Laçi 3-0

Shënues: Fangaj 72′ (a), Kale 77′, Bakaj 86’

Kukësi: Koliçi, Shameti, Alla, Hallaçi, Imami, Krkotiç, Musolli, Kale, Bakaj, Guri, Alijev.

Trajner: Mladen Milinkoviç

Laçi: Selmani, Ademir, Fangaj, Gjoni, Sefgjini, Bardhi, Lushkja, Jonuzi, Nika, Uzuni, Xhixha.

Trajner: Stavri Nica

Gjyqtar: Olsi Sokoli

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar