Futboll

Kukësi nuk ndalet, firmos edhe me sulmuesin boshnjak

Kukësi është mbreti i merkatos verore shqiptare deri në këto momente. Skuadra verilindore që prej fillimit të këtij muaji nuk është ndalur me afrimet në merkato. Janë afruar lojtarë në të gjithë repartet, por reparti që duket se ka pasur më shumë probleme, është ai ofensiv. Boshllëku i lënë pas largimit të Sindrit Gurit, ende nuk është mbushur. Për ta rregulluar këtë problem, Kukësi duket se zgjidhjen e ka gjetur jashtë vendit, në Bosnje Hercegovinë.

Pikërisht nga Boshnja vjen sulmuesi i ri që ka firmosur me nënkampionët e vendit. Bëhet fjalë për Haris Harba, sulmuesin 29-vjeçar, i cili ka firmosur një kontratë për 1 vit me Kukësin. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes rrjeteve sociale, ku bashkë me lojtarin e ri, duket e drejtori teknik i Kukësit, Nderim Nexhipi.

Sulmesi 29-vjeçar e ka nisur karrierën si profesionist në rradhët e Olimpik Sarajevo në Bosnje, ndërsa sezonin e fundit ka qenë pjesë e Zlate Moravce. Harba luan në pozicionin e qëndërsulmuesit dhe nga drejtuesit e klubit verilindor cilësohet si zëvendësuesi ideal i Sindrit Gurit dhe që pritet të mbajë peshën kryesore në ndeshjet e Champions League, por edhe për sezonin e ardhshëm. Nuk dihet nëse përforcimet do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme te Kukësi, ndërkohë që prej disa ditësh ekipi është i grumbulluar në Slloveni, ku po zhvillon fazën përgatitore.

Nga Ardit Hoxha

Më shumë nga Futboll