Futboll

Kukësi-Partizani, ndeshje vetëm për berberët!

“Si kaluat mirë? Më jepni një biletë për ndeshjen Kukësi-Partizani?”… “Në cilin sektor të Elbasan Arenës e doni zotëri?”… “Në tribunën qendrore”. Merr biletën në dorë dhe sheh orarin e ndeshjes… Takimi starton në 13:45. Mundohem të shoh dhe njëherë me kujdes, mos më kanë bërë sytë. Jo, jo! Qenka vërtet në 13:45 supersfida.

Luhet në Elbasan, luhet ditë të hëne dhe në një orar ku shumica e njerëzve jo vetëm nuk kanë mundësi të shkojnë në stadium, por as të lirohen nga puna për ta ndjekur në tv. Nuk e dimë se çfarë problemi ka me stadiumin kombëtar. Nuk e dimë dhe as cilat janë kushtet që çojnë federatën në këtë orar të pazakontë, por një gjë mund të themi: ky është një skandal! Po, po, skandal me “S” të madhe. Duam të ndjekim modelin e huaj, me të famshmen “Monday Night”, pra e “Hëna në Mbrëmje”, por gabojmë totalisht.

Klubet e futbollit heshtin. E bëjnë sistematikisht. A thua se i kanë shumë borxh institucionit dhe nuk mund të bëjnë gojën e madhe. Dhe, në fund, arkëtimi i biletave është si fitimi ditor i atij që shet fara të zeza dhe ujë jashtë stadiumit, në mënyrë figurative.

Duam tifozët, por kujdesemi si t’i largojmë më shumë se sa t’i afrojmë. E drejta televizive dhe monopolizimi janë më pas një oqean ku nuk duam të notojmë, jo sepse nuk e dimë si funksionon “lodra”, por sepse do të ishte e kotë të merremi. Një plumb i lëshuar në një shkretëtirë.

Pra, Kukësi-Partizani, supersfida e javës së 8-të, do të luhet në Elbasan në orën 13:45 sipas komunikimit zyrtar të FSHF. Një ditë e bukur, e hëna, sidomos për berberët që, nëse nuk kanë ndryshuar zakonet e hershme, do të kenë mundësi ta ndjekin… Ata, për fat, janë pushim dhe mund t’ia dedikojnë ditën futbollit. Nëse duan, sigurisht.

Më shumë nga Futboll