Futboll

Kukësi prish festën e kampionëve, barazimi në Korçë është festë për Partizanin

Një supersfidë e luftuar deri në vërshëllimën e fundit nuk ka bërë tjetër veçse ka dëshmuar edhe një herë situatën reale, aq shumë të konkurrueshme mes ekipeve pretendente për fitimin e titullit kampion. Pavarësisht se Skënderbeu ka marrë epërsinë në rezultat që në minutën e 14’, falë golit të Latifit, për ta mbajtur këtë avantazh deri një minutë para përfundimit të kohës së rregullt, skuadra e Kukësit ka prishur festën e kampionëve në sekondat e fundit, për të festuar vetë ruajtjen e kreut të klasifikimit, në përfundim të kësaj supersfide të mbyllur në barazim 1-1. Ishte Kale, i aktivizuar në pjesën e dytë ai që shënoi golin e barazimit në të 89’ me një gjuajtje fantastike. Goli i Kale dhe pika e regjistruar falë barazimit në Korçë mban Kukësin në krye të klasifikimit në kuotën e 52 pikëve, i ndjekur nga Skënderbeu me 50 pikë dhe Partizani në kuotën e 49 pikëve, në pritje të përballjes ndja Korabit.

Skënderbeu-Kukësi 1-1.

Pjesa e parë

Sfida ka nisur me skuadrën e Kukësit e cila i afrohet dy herë golit të avantazhit, fillimisht në të 4’ me anë të Pejiç, i cili me kokë dërgon mbi traversë një top të servirur brenda zonës nga Dvornekoviç, ndërsa vetëm 4 minuta më pas është Lena ai që shpërdoron një shans perfekt të krijuar nëpërmjet topit të shërbyer nga Karioka. Vendasit janë përgjigjur në të 14’, madje në mënyrën më të mirë të mundshme duke ndëshkuar Kukësin. Ishte Latifi ai që dërgoi në rrjetë topin e shërbyer nga Mici e më pas të ekzekutuar në limitet e hyrjes së zonës verilindore, duke përfituar nga çarja e mbrojtes së Kukësit. Në epërsi 1-0, Skënderbeu ka të gjitha shanset e mundshme të dyfishojë avantazhin, kur në të 27’, Latifi pasi bën kërdinë në mbrojtjen e Kukësit, ka shërbyer një asist perfekt për Salihin, i cili vetëm pak metra larg portës godet shtyllën vertikale të portës së mbrojtur nga Koliçi. Kukësi nuk dorëzohet dhe tenton sërish me bomberin e saj, Pero Pejiç, i cili në zonën e vendasve arrin të gjejë hapësirën e nevojshme për të goditur në djagonale, por topi përfundon jashtë kuadratit.

Skënderbeu-Kukësi 1-1.

Pjesa e dytë

Është Musolli ai që jep sinjalin e parë për Kukësin në këtë fraksion të dytë loje duke tentuar me një goditje në limitet e hyrjes së zonës, por rreziku neutralizohet nga Shehi. Skënderbeu përgjigjet me Xhejms në të 54’ që preferon një goditje në akrobaci, por roveshata e tij e dërgon topin mbi traversë. Në të 71’ Karioka i afrohet golit me një gjuajtje të fuqishme nga jashtë zone, por Shehi devijon në goditje këndi. Ndërkohë, korçarët kanë pretenduar në dy raste për 11-metërsh, pasi fillimisht është ndalur Latifi e më pas Fukui. Por, minuta më vendimtare është ajo e 89’ kur Kale, i aktivizuar në pjesën e dytë dërgon topin në rrjetë me një gjuajte të jashtëzakonshme për të rivendosur barazinë, 1-1.

Skënderbeu-Kukësi 1-1. Shënues: Latifi 14’/ Kale 89′.

Skënderbeu-Kukësi 1-1
Shënues: Latifi 14′ / Kale

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Osmani, Jashanica, Mici, Orelesi, Predesku, Lilaj, Xhejms, Latifi, Salihi
Trajner: Ilir Daja

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Rrumbullaku, Musolli, Lena, Hasani, Dvornekoviç, Karioka, Pejiç
Trajner: Ernest Gjoka

Gjyqtar: Kridens Meta

Më shumë nga Futboll