Connect with us

Kampionati Shqiptar

Kukësi-Skënderbeu, biletat e supersfidës me çmime të kripura

Kryendeshja e javës së 35-të të Superiores, që mund të vendosë në masë shterruese për titullin kampion, e cila do të luhet në “Zeqir Ymeri” mes Kukësit dhe Skënderbeut, do të mbahet mend edhe për diçka tjetër: për çmimin rekord të biletave në këtë impiant sportiv. Organizatorët e ndeshjes kanë njoftuar përmes faqes së tyre zyrtare në internet se do të rezervohen 300 vende për tifozët korçarë, por ata duhet ta blejnë biletën me një çmim të kripur, 10 mijë dhe 20 mijë lektë të vjetra: “FK Kukësi komunikon se biletat e spektatorëve për ndeshjen Kukësi-Skënderbeu, në stadiumin “Zeqir Ymeri” do të jenë të gjitha me pagesë.
Çmimet janë si më poshtë:
Tribuna përballë: 1000 lekë të reja
Tribuna kryesore: 2000 lekë të reja

Çmimet e biletave do të jenë pa dallim ndërmjet tifozerisë vendëse dhe asaj mike. Ne nuk do të bëjmë asnjë diferencim, duke respektuar në maksimum mysafirët. Në dispozicion do të lëmë 300 vende për tifozët korçarë. Këto ditë, si klub organizator, kemi marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e takimit, duke u kujdesur për policinë, ambulancën, zjarrfikësen dhe çdo gjë tjetër në funksion të sigurisë në stadium. Ndërkohë, duke marrë parasysh faktin se ndeshja e së shtunës (17:30) është më e rëndësishmja e këtij sezoni, jo vetëm për Kukësin, por edhe për gjithë kampionatin shqiptar, theksojmë se shumë biznesmenë kuksianë kanë shprehur dashamirësinë dhe gatishmërinë e tyre për të paguar biletat për tifogrupet tona. Biznesmenët e afruar pranë klubit, duke mos dashur të privojnë tifozërinë kuksiane nga kjo supersfidë, kanë blerë me qindra bileta dhe hyrja në stadium do të jetë vetëm me bileta. Tifozët tanë le të përfshihen me tifogrupet për të përfituar biletat, gjë që vlen edhe për Skënderbeun, nëse kanë dëshirën të paguajnë paraprakisht si klub apo nëpërmjet biznesmenëve të ndryshëm.”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar