Futboll

Kundër PSG, Ranieri ndryshon rregullat e lojës: “22 futbollistë në fushë dhe dy autobusë në portë”

Kundër PSG, Ranieri ndryshon rregullat e lojës: “22 futbollistë në fushë dhe dy autobusë në portë”

Në vigjilje të ndeshjes së të shtunës në kampionatin francez ndaj PSG kryesuese, trajneri i Nantes, Claudio Ranieri në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp nuk është përmbajtur në elozhet e thurura për kundërshtarin, duke treguar edhe strategjinë e tij për të ndalur favoritët. “PSG është një skuadër e madhe. Do të luajmë kundër favoritëve për fitimin e titullit kampion në Ligue 1”, deklaroi ndër të tjera Ranieri.

“Si italian, shpresoj që Champions League të fitohet nga njëra mes Juventus, Napoli dhe Roma, por nëse nuk do të ishte kështu, shpresoj që të fitojnë parisienët, sepse do të ishte një arritje për të gjithë lëvizjen futbollistike franceze, pjesë e së cilës jam aktualisht. Si t’i bësh ballë PSG? Nëse do të mundesha atëherë do të aktivizoja 22 futbollistë dhe do të parkoja dy autubusë përpara portës, ose mund të luaj me mbrojtjen me 5 futbollistë, sikurse bëri Montpellier, që ia doli të barazojë 0-0 me PSG”, vijoi Ranieri.

“Përtej shakave, dua që ekipi im të jetë i qetë dhe i vendosur. E di shumë mirë që mund të mundemi, por duhet të tentojmë të konfirmojmë cilësitë që kemi shprehur deri më sot. Një plan për t’i mundur ka, por bëhet fjalë për një ide fantastike, realiteti është ndryshe”, u shpreh ndër të tjera trajneri italian i Nantes, Claudio Ranieri.

Më shumë nga Futboll