Futboll

Kupa e Anglisë, Silva-Aguero kualifikojnë City në gjysmëfinale

Një gol i David Silva dhe një i Sergio Aguero i kanë dhuruar Manchester City kalimin në gjysmëfinalet e Kupës së Anglisë, kompeticioni i dytë më i rëndësishëm i futbollit anglez. Lojtarët e Pep Guardiola kanë arritur të marrin një fitore të rëndësishme 2-0 në transfertë, duke eliminuar Middlesbrough, që ka pësuar humbjen e tretë radhazi në ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet. “Qytetarët” janë kthyer te fitorja pas barazimit zhgënjyes pa gola të marrë të mërkurën në mbrëmje në takimin e kampionatit të rikuperuar kundër Stoke City. Tri minuta lojë i kanë mjaftuar Manchester-it për të zhbllokuar ndeshjen me mesfushorin spanjoll, ndërsa Aguero ka mbyllur takimin në minutën e 67-të, duke fiksuar shifrat në 2-0.

Kjo fitore duhet t’i bëjë mirë moralit të lojtarëve të Guardiola-s, të cilët kanë përpara tyre dy ndeshje vendimtare për fatin e sezonit. Në fakt, në mesjavë City do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Champions League kundër Monaco, me takimin e parë që është mbyllur 5-3 për anglezët. Ndërsa fundjavën e ardhshme do të presin në “Etihad Stadium” Liverpool e Jurgen Klopp, një sfidë që mund të jetë përcaktuese në luftën për një vend në edicionin e ardhshëm të Championsit.

 

Më shumë nga Futboll