Volejboll

Kupa e Flamurit, kombëtaret kuqezi fitojnë ndaj Kosovës

Eventi i Kupës së Flamurit organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë, nxori fituese dy ekipet kombëtare shqiptare të volejbollit (meshkuj e femra), që mundën ekipet kosovare (3-0 femrat dhe 3-1 meshkujt), në një aktivitet që u kthye në një festë sportive. Ky aktivitet u zhvillua në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet, ku nuk munguan të pranishmit, që ndoqën nga afër skuadrat dhe mbështetën ato, një event që u tranmetua “live” nga TELESPORT. Edhe pse me mungesa të shumta, ekipet tona kombëtare ishin superiore në fushë ndaj homologëve kosovarë, duke i merituar fitoret. Këto ishin ndeshjet e para të ekipeve tonë kuqezi që pas turneut të Ligës Europiane, që u zhvillua në qershor të këtij viti.

Nga ndeshja Shqiperi-Kosove per femra, 3-0

Kombëtarja e femrave, e drejtuar nga trajnerët Altin Martiri dhe Roland Tarja, fitoi 3-0 ndaj asaj kosovare, në një takim me rivalitet vetëm në setin e parë, që mund të ishte fituar edhe nga mikeshat. Madje Kosova udhëhiqte 22-24 dhe i mjaftonte një pikë, që në fakt nuk erdhi, pasi vajzat kuqezi përmbysën shifrat dhe fituan 26-24. Kjo karikon më shumë kombëtaren shqiptare, që në dy setet e tjera është vazhdimisht superiore në parket, duke u shkëputur gradualisht dhe më pas administron avantazhin, për të fituar 25-18 dhe 25-21. Një kombëtare me shumë vajza të reja në përbërje (shumë nga titullaret luajnë jashtë), që patën një test të mirë, duke synuar në të ardhmen një vend në formacionin bazë.

Nga ndeshja Shqiperi-Kosove per meshkuj, 3-1

3-1 fitoi kombëtarja e meshkujve, që mundi pa shumë probleme atë të Kosovës, në një takim thuajse në sens unik dhe ku epërsia e kuqezinjve ishte e madhe (25-19, 25-21, 22-25, 25-22). Volejbollistët kosovarë rivalizuan vetëm në setin e tretë, duke e fituar atë dhe rihapur përkohësisht ndeshjen, ndërsa në tri setet e tjera dominuan kuqezinjtë, që dominuan në parket dhe fituan me diferenca të mëdha në pikë (kombëtarja shqiptare sot drejtohej nga trajneri Dritan Bardhi). Në mes të dy ndeshjeve miqësore, FSHV organizoi edhe një ceremoni, duke shpërndarë titullin “Mirënjohje” për mjaft ikona të volejbollit shqiptar ndër vite, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe presidenti i KOKSH, Viron Bezhani.

Më shumë nga Volejboll