Futboll

Kupa e Mbretit, Atletico dhe Valencia luajnë në shtëpi

Futbolli spanjoll do të kthehet të martën me dy ndeshje të vlefshme për 1/8-at e Kupës së Mbretit. Atletico Madrid dhe Valencia do të presin respektivisht në shtëpi Lleida dhe Las Palmas në ndeshjet e kthimit.
Madrilenët e kanë hipotekuar kalimin në çerekfinale falë fitores 4-0 të marrë në ndeshjen e parë.

Kështu, miqtë do të zbresin në fushë pothuajse pa asnjë shpresë. Gjithsesi, kjo sfidë e dytë me forcën e dytë të futbollit spanjoll do t’i shërbejë për të fituar eksperiencë Lleida-s, që nuk po zhvillon një sezon të mirë, siç e tregon edhe vendi i 9-të në renditjen e kategorisë së tretë të futbollit, spanjoll. Gjithashtu, ata do të paraqiten në këtë takim pas vetëm 1 fitoreje të marrë në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet.

Ndërkohë, nuk ka asgjë të sigurt në ndeshjen që do të zhvillohet në “Mestalla” mes Valencia-s dhe Las Plamas-it, duke parë se takimi i luajtur gjashtë ditë më parë, në stadiumin “Gran Canaria”, është mbyllur në barazim 1-1, me miqtë që kanë arritur të barazojnë pesë minuta para fundit me një gol të Rodrigo.

Ky rezultat favorizon ekipin vendas, të cilëve do t’u mjaftonte edhe një barazim pa gola për të siguruar një vend në çerekfinale. Gjithsesi, nuk do të jetë aq e lehtë për “Los Che”, duke parë se ata kanë humbur 3 nga pesë ndeshjet e fundit të luajtura kundër Las Palmas në të gjitha kompeticionet.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll