Futboll

Kupa e Mbretit, pesë skuadra kërkojnë kualifikimin

Faza e 1/16-ve e Kupës së Mbretit do të mbyllet mbrëmjen e së enjtes me pesë sfidat e radhës të këtij kompeticioni. Alaves-Getafe do të jetë ndeshja e parë, që do të luhet në orën 19:00. Vendasit janë favorit për të siguruar një vend në 1/8-at pas fitores 1-0 të marrë në ndeshjen e parë, falë një goli të realizuar nga Santos tri minuta para fundit. Por Getafe ka fituar bindshëm 4-1 takimin e kampionatit, luajtur 18 nëntorin e kaluar në shtëpi kundër Alaves.

Në 19:30 do të luhet Espanyol-Tenerife, një ndeshje që pritet të jetë shumë e luftuar, duke parë se ndeshja e zhvilluar në fushën e Tenerife është mbyllur në barazim pa gola. Miqtë nuk kanë pësuar asnjë humbje në pesë sfidat e fundit, nërsa vendasit nuk kanë arritur të fitojnë asnjë nga 5 takimet e fundit. Po në 19:30 do të luhet edhe Villarreal-Ponferradina. “Nëndetësja e Verdhë” do të duhet të marrë një fitore me dy gola diferencë për të siguruar kualifikimin, pasi miqtë kanë fituar 1-0 në takimin e zhvilluar në fushën e tyre dhe, për rrjedhojë, mund t’i lejojnë vetes edhe një humbje 2-1.

Dy orë më vonë, në 21:30, Betis do të presë në shtëpi ekipin e Cadiz. Miqtë kanë fituar 2-1 në transfertë, në ndeshjen e parë, dhe nuk duhet të kenë probleme për të siguruar kualifikimin. Gjithashtu, Betis ka realizuar të paktën një gol në 3 nga 5 përballjet e fundit të luajtura kundër Cadiz. Po në 21:30 do të luhet edhe Valencia-Zaragoza. “Los Che” e kanë siguruar kualifikimin në 90 minutat e para, falë një fitore 2-0.

Më shumë nga Futboll