Kupa e Shqipërisë

Kukësi dhe Laçi kualifikohen në gjysmëfinale

KUKËSI – TIRANA  1-0 (1-1)
Golat: Guri 4’
KUKËSI: Frashëri,  Zderiç, Hoxha, Musolli, Rrumbullaku, Shkodra, Dzaria, Imami, Kale (Balde 72’), Bakaj (Idrizi 90+2′), Guri. Trajner: Peter Pakult
TIRANA: Lika, Kërçiku, Musa, Cake (Halili 68’), Hoxhallari, Daja, Karabeci, Sentamu, Muguna (Celhaka 46’), Greca, Ngo. Trajner: Ze Maria
Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Ergin Doda, Rejdi Avdo
Kartonë të verdhë: Zderiç 39’ / Daja 17’, Hoxhallari 83′

U luajtën dy çerekfinalet e para të kthimit të Kupës së Shqipërisë, ndërsa nga ora 17:00 startojnë në “Selman Stermasi” dhe në Korçë sfidat Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Teuta). Kukësi fitoi me një gol të hershëm ndaj bardhebluve, duke përparuar në turin tjetër të këtij kompeticioni. Goli i Gurit me kokë, që në minutën e 4-t, ka likujduar fituesit në fuqi të Kupës. Kujtojmë se ndeshja e parë në kryeqytet ishte mbyllur në barazimin 1-1. Tirana është shfaqur e përgjumur, sidomos në pjesën e parë, në stadiumin “Zeqir Ymeri”, ndërkohë që Ilion Lika ka qenë heroi i miqve, me pritjet vendimtare të tij. Ndoshta me një tjetër në portë, kryeqytetasit do të kishin dalë me humbje më të rëndë nga kjo transfertë. Pjesa e dytë i ka parë bardheblutë më kërkues, në kërkim të golit të barazimit, por prapavija kuksiane është treguar e pakalueshme, edhe pse me mungesa. Në një moment, edhe për Kukësin është bërë hero portieri Frashëri, që ka pritur një predhë të Sentamu, apo shtylla e tij në minutën e 89-të, që i ka thënë “jo” goditjes me kokë të Ngoo. Të zhbilancuar në kampionat, në betejën për të mbrojtur titullin, duket se tashmë verilindorët do t’i fokusojnë energjitë në këtë kompeticion, për të mos dalë pa trofe në këtë edicion. Ata e kanë fituar vetëm një herë Kupën e Shqipërisë, ndërsa Tirana mbetet rekordmenja e saj, me 16 triumfe.

LUFTËTARI – LAÇI  0-1 (0-3)
Golat: Rexhinaldo 50’
LUFTËTARI: Athanosopulos, Toledo, Janku, Beqiri, Rapo (Bregu 46’), Liçaj, Aleksi, Minga (Rroca 46’), Ribeiro, Demo, Lamçja (Abazaj 46’). Trajner: Hasan Lika
LAÇI: Selmani, Fangaj, Lulaj, Gjoni, Sefgjini, Jonuzi, Bardhi (Lushkja 46’), Kallaku, Shtubina (Zogaj 46’), Rexhinaldo, Uzuni (Xhixha 80′). Trajner: Gentian Mezani
Gjyqtarë: Klodian Shahini, Fatmir Lamaj, Eraldo Lisaku
Kartonë të verdhë: Liçaj 30′, Toledo 34′, Aurelio 60′, Aleksi 85′
Kartonë të kuq: Kallaku 60’

Në Gjirokastër nuk ka pasur shumë histori. Kjo, për shkak se Luftëtari e kishte humbur thellë, 3-0, çerekfinalen e parë në fushën e kurbinasve. Këta të fundit, megjithatë, e kishin vlerësuar maksimalisht edhe sfidën e sotme të kthimit, duke luajtur me titullarët. Në kahun tjetër, Hasan Lika e nis me shumë ndryshime, duke lënë disa titullarë në stol. Ata i hedh në fushë me fillimin e pjesës së dytë (Abazaj, Bregu dhe Rroca), por kur pritej që të shtohej reagimi bluzi, një ish i tyre i ndëshkon. Eshtë Rexhinaldo, që në minutën e 50-të zhbllokon shifrat dhe shuan përfundimisht çdolloj fije shprese të Luftëtarit. Laçi, edhe pse luajti me 10 lojtarë nga minuta e 60-të, pas kartonit të kuq të Kallakut, ia del të kualifikohet bindshëm në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që e sheh veten në garë për zonën europiane edhe përmes kampionatit. Gjirokastritët vijojnë rrugëtimin në Superiore, ku nga lufta për mbijetesë duket se do të synojnë sa më shumë lart në renditje.

Më shumë nga Kupa e Shqipërisë