Europa League

“Kupa e vogël” në ethet e finales…

Veprimtaria e dytë në Kupa e Europës për nga rëndësia do të luajë aktin e fundit kur Marseille do të ndeshet me Atletico Madrid në finalen e Europa League, që do të zhvillohet në “Parc Olympique Lyonnais” në Lion. Për të dyja këto ekipe kjo veprimtari përbën shansin për të fituar të paktën një trofe në këtë sezon.

Ekipi që do të ngrejë kupën do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Champions League. Atletico Madrid e ka fituar këtë të drejtë nëpërmjet kampionatit spanjoll, ndërsa Marseille renditet në vendin e katërt në Ligue 1 dhe suksesi në Europa League do të ishte një bonus i jashtëzakonshëm.

Marseille është në këtë finale falë suksesit ndaj RB Salzburg në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Atletico Madrid, nga ana e saj, eliminoi Arsenal me fitoren 1-0 në Spanjë, pasi ndeshja e parë u mbyll 1-1.

Skuadra e Simeone “zbriti” në Europa League pasi doli në vendin e tretë në grupin e saj në Champions Leauge. Klubi francez ka luajtur dy finale të mëparshme të kësaj veprimtarie, që dikur quhej Kupa UEFA, duke humbur kundër Parma në vitin 1999 dhe kundër Valencia në vitin 2004.

Hera e fundit dhe e vetme që Marseille ka triumfuar në Europë ka qenë në vitin 1993 kur mposhti Milan në finalen e veprimtarisë inagurale të Champions League, që ndryshoi emrin e mëparshëm kur quhej Kupa e Kampioneve.

Nga ana tjetër, Atletico Madrid po kërkon triumfin e tretë në këtë veprimtari pasi ka fituar më parë në edicionet e luajtur në vitin 2010 dhe 2012. Ekipet Spanjolle kanë bërë “ligjin” më Europa League, duke arritur në 8 nga 14 finalet e fundit.

Për sa i përket formës aktuale, Marseille ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet fundit, duke barazuar dy dhe humbur një prej tyre. Ata janë në vendin e katërt të Ligue 1, ndërsa Atletico Madrid ka fituar tre nga katër ndeshjet e fundit dhe praktikisht e kanë garantuar se do ta mbyllin në vendin e dytë kampionatin spanjoll.

Dy futbollistët për t’u pasur parasysh në ndeshjen e sotme janë Antoine Griezmann (Ateltico) dhe Florian Thauvin (Marseille). Griezmann ka shënuar katër gola në Europa League dhe 19 gola në La Liga, ndërsa Thauivin ka shënuar tre gola në Europa League dhe 21 në Ligue 1.

Marseille ka fituar vetëm një nga nëntë ndeshjet e luajtura jashtë fushe në këtë edicion të Europa League, ndërsa pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Atletico Madrid jashtë fushe për “kupën e vogël” janë mbyllur poshtë 2.5 golave, pra 0 deri në 2 gola.

Në edicionin 2008/09 ka qenë i vetmi rast i mëparshëm kur këto dy skuadra janë ndeshur në Europë dhe Atletico u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 2-1.

Rekordi i Atletico Madrid kundër ekipeve franceze është 6 fitore, 5 barazime dhe 1 humbje, por kurioz është fakti se ata nuk kanë fituar ndaj skuadrave franceze që nga viti 1961. Nga ana tjetër, bilanci i Marseille me skuadrat spanjolle është 4 fitore, 3 barazime dhe 8 humbje.

Formacionet e mundshme:

Marseille: Pele; Sarr, Rami, Gustavo, Amavi; Lopez, Sanson; Thauvin, Ocampos, Payet, Germain.

Atletico Madrid: Oblak; Juanfran, Godin, Savic, Luis; Correa, Gabi, Saul, Koke, Costa, Griezmann.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Europa League