Connect with us

Forum

Kupa “Mejdan Zhivani”, edicioni i dytë u zhvillua në Laç

Në nderim të gazetarit sportiv Mejdan Zhivani, që u nda nga jeta në moshën 38 vjeçare dy vjet më parë, u zhvillua në qytetin e Laçit edicioni i dytë i kupës që mban pikërisht emrin e tij. Për të luajtur për “Zhivën”, mikun e madh të të gjithëve, kishin ardhur gazetarë nga RTSH-ja, Shkodra, Prishtina, Kukësi, Lezha, Elbasani, Fieri, Kruja, Dibra dhe natyrisht edhe nga Laçi, si vendi organizator i eventit.

1

Gazetarët sportivë nga të gjithë trevat duke nderuar Mejdan Zhivanin, i ndarë nga jeta dy vjet më parë

Aktiviteti, përgjatë të cilit morën pjesë familjarët e Mejdan Zhivanit, autoritete të larta të drejtimit të jetës publike në Kurbin, presidenti i shoqatës së miqësisë “Shqipëri-Itali”, si dhe të ftuar të tjerë, ia arriti qëllimit. Mejdan Zhivani u “ngjall” në Laç përmes një dokumentari të shkurtër viziv dhe referimive të ndryshme nga të pranishmit. Kryetari i Bashkisë Kurbin, Artur Bardhi, i cili mbështeti fuqimisht këtë nismë të Drejtorisë së Sportit të institucionit që ai drejton, përshëndeti të pranishmit dhe i dorëzoi familjes Zhivani, “Certifikatën e Mirënjohjes”.

3

Përparim Zhivani dhe organizatori i aktivitetit, Isuf Myrtaj, duke i dhënë trofeun kapitenit të RTSH-së

Më pas, tre ekipet pjesëmarrëse, Shkodra, RTSH dhe Laçi, diskutuan në fushën e gjelbërt trofeun e dytë “ Mejdan Zhivani”. Moderatori dhe gazetari i njohur Dëfrim Methasani, gazetarët nga Prishtina Milaim Krasniqi  dhe Gani Kosumi, ata nga Tirana, miqtë dhe kolegët nga Shkodra e shumë e shumë të tjerë, i dhanë jetë aktivitetit, duke sjellë mbresa e kujtime të paharruara nga veprimtaria e së shkuarës me gazetarin Zhivani. Kupa u fitua nga RTSH-ja, por kjo kaloi në plan të dytë, misioni për të nderuar gazetari Mejdan Zhivani u përmbush. Vitin e ardhshëm ky aktivitet do të zhvillohet në Kukës. I përjetshëm qoftë kujtimi i Mejdan Zhivanit!

Më shumë nga Forum