Futboll

Kuqezinjtë mbajnë premtimin, protestojnë kundër ekstradimit të “Ballistit” në Serbi

Sikurse ishte premtuar dhe njoftuar publikisht që një ditë më parë, pasditen e sotme u zhvillua protesta në mbrojtje të Ismail (Ballist) Morina, i ndaluar në Kroaci që më datë 10 qershor, ndaj të cilit më datë 25 korrik u mor vendimi nga Gjykata e Dubrovnikut, për ekstradim në Serbi. Vendimi nga organet e drejtësisë së vendit kroat erdhi si pasojë e fletë arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga kjo e fundit, për ngjarjet e tetorit të vitit 2014 të ndodhura në Beograd, kur Ballist Morina mori përsipër aktin e valëvitjes së flamurit të Shqipërisë së Madhe, madje duke e shëtitur atë me dron mbi stadiumin e Beogradit.

Nën një numër të konsideruar pjesëmarrësisht, protesta në mbështetje të Ballist Morinës ishte organizuar me tre ndalesa, me grupimin që u vendos fillimisht para Kryeministriës, për tu zhvendosur më pas në drejtim të Ambasadës së Kroacisë dhe në fund para Federatës Shqiptare të Futbollit. Protesta u shoqërua me thirrje në formë apelimi ndaj institucioneve shqiptare në mbrojtje të Ballist Morinës, kundër ekstradimit të tij në Serbi, me protestuesit që veç koreve, mbanin në duar pankarta dhe banera me përmbajtje të ndryshme: “Nëse keni dinjitet dhe jeni shtet ktheni heroin në shtëpinë e vet”, “Ekstradimi i Morinës tradhëti e shtetit ndaj popullit dhe veprës së tij”, etj.

Më shumë nga Futboll