• Kur “Pema e Krishtlindjes” e Milan-it bënte ligjin në Europë

    Publikuar: 25 Dec 7:32

    Sa herë që dëgjohet fjala Krishtlindje vetëm një gjë të vjen në mendje. Po, e gjetët, Milan. Por jo çdo skuadër e kuqezinjve. Po flasim veçanërisht për ekipin e sezonit 2006/07. Ishte një kohë kur Milan fitoi Champions League nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, duke përdorur skemën 4-3-2-1, që njihet ndryshe si “Pema e Krishtlindjes”. Le të bëjmë një rrugëtim në këtë kujtim festiv dhe të shikojmë se cilët ishin aspektet që e bënë atë formacion aq të veçantë.

    Pema e Krishtlindjes

    Baza italiane
    Në zemër të mbrojtjes së atij Milani ishin dy kolosë të futbollit italian. Nëse Mikelanxhelo do të kishte krijuar dy lojtarë nga graniti më i mirë italian ai do të kishte krijuar Paolo Maldini-n dhe Alessandro Nesta-n. Nëse ata të dy nuk do të ishin në dispozicion, atëherë Carlo Ancelotti do të kërkonte ndihmën e veteranit Alessandro Costacurta. Një tjetër lojtar që nuk kishte mangësi për sa i takon klasit.

    Maldini dhe Nesta kundër Wayne Rooney

    Mbrojtësi i krahut më i mirë i historisë

    Edhe pse ka qenë në vitet e fundit të karrierës askush nuk mund ta mohojë faktin se Cafu ka qenë mbrojtësi i krahut më i mirë në historinë e futbollit. Askush, para apo mbas tij, nuk ka arritur të përsërisë magjitë e brazilianit në krahun e djathtë të mbrojtjes. Aftësia e tij për të mbështetur skuadrën në të dy fazat e lojës ka qenë thelbësore, duke parë se Milan nuk kishte sulmues krahu në skemën 4-2-3-1, teksa në krahun e majtë ky rol mbulohej nga Marek Jankulovski.

    cafu
    Cafu duke ngritur trofeun e Champions League

    Mesfushë ëndrrash
    Janë ta paktë lojtarët që mund t’i afrohen klasit të Andrea Pirlo-s, i cili ishte i mbrojtur nga dy truproja si Gennaro Gattuso dhe Massimo Ambrosini. Por ajo që e bënte këtë mesfushë të dominonte ishte fakti se të dy truprojat mund të luanin. Nëse kundërshtari do të zhvillonte lojë fizike, kjo sfidë do të fitohej nga dyshja milaniste, nëse do të zhvillohej një sfidë kryesiht teknike, atëherë mjeshtri Pirlo do të merrte kontrollin.

    Gattuso dhe Pirlo në stërvitje

    Pse të kesh një numër 10 kur mund të kesh dy
    Ancelotti ka qenë i pangopur kur vinte puna për të zgjedhur fantazistin e ekipit të tij në 2007-ën. Ai vendosi të aktivizonte njëkohësisht Seedorf dhe Kaka. Efekti i kësaj lëvizjeje ka qenë shkatërrues për kundërshtarin. Gjë që Manchester United e provoi në gjysmëfinalen e kthimit të Champions League, të fituar 3-0 nga kuqezinjtë në “San Siro”, me Seedorf dhe Kaka që kanë realizuar dy nga ato tre gola. Ndërsa holandezi ishte i kudondodhur dhe kishte një goditje vrasëse, Kaka ishte simboli i elegancës dhe klasit. Klas që e lejoi të mposhtte Cristiano Ronaldo-n dhe Leo Messi-n në garën për Topin e Artë të 2007-ës.

    kaka
    Rikardo Kaka, Lojatari i Vitit i 2007-ës

    Ylli në majën e pemës
    Çfarë është një pemë Krishtlindjesh pa disa dhurata nën të ose, në këtë rast, pa një yll në majë? Ancelotti duhej të zgjidhte mes Filippo Inzaghi-t, lojtari që kaloi gjithë karrierën e tij në pozicion jashtë loje, dhe “Fenomenit” Ronaldo, i cili u transferua te kuqezinjtë në janar nga Real Madrid. Në shumicën e rasteve ai zgjodhi Inzaghi-n, edhe pse Ronaldo nuk mund të luante në Champions. Loja e Pippos mund të mos ketë qenë e bukur për t’u parë, por nuhatja e tij për golin ishte e pakrahasueshme.

    “SuperPippo” dhe “Fenomeni”

    Megjithatë, në kampionat…
    Ndërsa “Pema e Krishtlinjdes” e Milan-it pushtonte Europën dhe Botërorin për Klube, në shtëpi gjërat nuk shkonin aq mirë. Skuadra e Ancelotti-t e mbylli kampionatin në vendin e katërt, 36 pikë larg Inter-it kampion, por kuqezinjtë u penalizuan me tetë pikë për shkak të skandalit të “Calciopoli”-t. Edhe aventura ne Kupën e Italisë u mbyll me një eliminim në gjysmëfinale kundër Romës. Por kjo nuk duhet t’i heqë asgjë bukurisë së pemës së Krishtlindjes.

     


    Lexo postimet e tjera