La Liga

Kur realizohet ëndrra e fëmijërisë… Europa League vlen më shumë se Kupa e Botës!

Fernando Torres tha se ëndrra e fëmijërisë u realizua në momentin që ngriti trofeun e Europa League me Atletico Madrid, që për të vlen më shumë se Kupa e Botës e fituar me Spanjën. Torres, që do të largohet nga Atletico në fund të këtij sezoni, fitoi të mërkurën trofeun e tij të parë dhe të vetëm me Atletico Madrid, teksa kjo skuadër fitoi 3-0 në finalen ndaj Mrseille, ku Torres u aktivizua në minutat e fundit si zëvendësues.

“El Nino”, i cili ka qenë tifoz i Atletico, që kur ishte pesë vjeç, ka qenë që i vogël pjesë e Atletico dhe ka debutuar me ekipin e parë në moshën 17-vjeçare.

Pasi u largua në vitin 2007, Torres shkoi te Liverpool dhe më pas luajti për Chelsea, derisa u rikthye në vitin 2015. Gjatë kësaj kohe ai fitoi Euro 2008, Kupën e Botës 2010 dhe Champions League 2008. Më në fund, ai fitoi diçka edhe me Atletico.

Ai tha: “Eshtë e vështirë të shpjegosh sa i lumtur që jam sepse realizova ëndrrën e fëmijërisë. Që i vogël ëndërroja të kisha në dorë një trofe të fituar me fanellën e Atletico Madrid dhe tani e kam. Jam krenar që bëj pjesë në këtë grup futbollistësh dhe ia kushtoj tifozëve që nuk e kanë fshehur kurrë dashurinë për mua.”

Më pas, Torres shtoi: “Unë kam qenë me fat dhe kam fituar shumë në karrierën time. Kam fituar Kupën e Botës, maksimumin e mundshëm, por asgjë nuk do të ndërroja me trofeun e fituar me Atletico. Ishte synimi i jetës time.”

Më shumë nga La Liga