Futboll

Kur “sharlatani” dhe “putana” vlejnë më shumë se një grumbullim!

Një biletë avioni, një darkë buzë Adriatikut, xhentëllmen për rrogën, rëndësi kishte eksperienca dhe kontrata në tavolinë. Christian Panucci nuk u mendua dy herë kur mori ofertën e kërkuara nga presidenti Armand Duka. Një italian për të zëvendësuar një italian tjetër, Gianni De Biasin. I fundit një “azzur” tipik prej atyre që blindojnë mbrojtjen dhe të marrin frymën në 30 metrat e fundit, ndërsa i pari i mësuar nga dora e egër e “gjeneral” Capello-s doli një “rreshter i pabindur”. Synon sulmin dhe flet me premtime të mëdha.

Tapeti i kuq ishte i shtruar për Panuccin me të madh dhe të vogël që i tregojnë rrugën, e njëjta gjë ndodh dhe tani pas një viti e pak muajsh. Italianit i tregohet dera e daljes, por këtë herë pa tapet, por me më shumë shoqërues që ta rikthejnë në vendlindjen e tij. Ai nuk ia doli mbanë. Mbase mungesa e eksperiencës, mbase mund të mësojë rrugës, mbase, mbase… Nuk mund të ecet me mbase në një komb që të vetmen kënaqësi e gjen te kombëtarja. Në një vend ku shpëtimin “shpirtëror” e gjen në 90 minutat e kombëtares. Mëkat që të kthesh rrotën e historisë, mëkat që po përligj Panucci.

Numri një i stolit gaboi me zgjedhjet dhe zgjidhjet e tij. Eliminatoret e botërorit nisën një revolucion që ende nuk ka mbërritur në fund. Ekipi kombëtar është pa shtyllë korrizore, pa bosht. Një bosht që tekniku nuk po arrin ta gjejë. Ai nuk yje, nuk ka futbollistë që të lënë me gojë hapur kur i sheh, kemi futbollistë të një niveli mesatar dhe poshtë. Nuk kemi as cilësitë dhe talentin e përfaqësueses së Kosovës për të mos shkuar më tej në Ballkan, pasi Kroacia dhe Serbia kanë “super yje”. Në fakt, të tillë ishin dhe me De Biasin. Ai ia doli mbanë, gojët e liga thonë se meritat më të mëdha i ka Ballist Morina dhe Duka, por steka është lart.

“Rreshter” Panucci dhe “ushtaro-gjeneralët” e tij nuk po e përligjin aspak besimin. Një trajner që mendon të mos dalë në një televizor, të kapet me ndonjë gazetar dhe të akuzojë për komplote. Disa lojtarë që mendojnë më shumë për instagram-et personale, të pushtojnë mediet me të bekuarën fjalë “putana” dhe të zbardhin dhëmbët në selfie pas humbjeve. Në fushë? Shqipëria nuk mbron, nuk ndërton dhe nuk ka efikasitet përpara. Disa shkëndija loje, disa minuta të mira, zotërim ndaj Izraelit, por zero pikë. Pas ndeshjes mbushemi me broçkolla se kemi luajtur mirë, ndërsa mbetemi në vendin e fundit me një Izrael mesatar dhe me një Skoci që mund të jetë më e dobëta në histori. Jo zotërinj, faleminderit! Boll dëgjuam patriotizëm të shtirur dhe dashuri për fanellën, nëse keni këllqe tregojini në fushë, ose lini vendin. Këtij grupi përveç cilësisë i mungon dhe shpirti, ajo frymë grupi që na çoi në europian!

Më shumë nga Futboll