Kupa e Shqipërisë

Laçi befason Kukësin në fund, kalon në finalen e kupës

Një gol 12 minuta para fundit të ndeshjesh, i shënuar nga Rexhinaldo, i ka dhuruar kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë skuadrës së Laçi-t, që ka barazuar 1-1 gjysmëfinalen e dytë kundër Kukësit. Goli i realizuar në transfertë ka rezultuar vendimtar për bardhezinjtë, duke parë se ndeshja e parë është mbyllur në barazim 0-0.

Kanë qenë vendasit ata që kanë zhbllokuar ndeshjen pas 20 minutash lojë me Gurin. Gjatë ndeshjes ka pasur tension pas një penalltie të kërkuar nga ekipi mik, por që nuk është dhënë nga arbitri. Një episod ky që është shoqëruar me protesta nga ana e lojtarëve të Laçit.

Gjithsesi, ekipi i Mezanit ka arritur të gjejë golin në minutën e 78-të dhe ka arritur ta mbrojë barazimin deri në fund. Në finale ata do të përballen me fituesen e çiftit Flamurtari-Skënderbeu. Vlonjatët kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë dhe do të kërkojnë ta mbrojnë këtë avantazh prej një goli në takimin e kthimit, që do të zhvillohet ditën e sotme në 18:30.

Më shumë nga Kupa e Shqipërisë