Futboll

Laçi, Mezani: “Kamza kundërshtar i vështirë, ne jemi ekipi për t’u mundur”

I udhëhequr nga trajneri Gentian Mezani, ekipi i Laçit nuk njeh kufijë, pasi me fitoren e sotme në shtëpi ndaj Kamzës me rezultatin 2-0, ka barazuar Kukësin në kuotën e 42 pikëve, për të konsoliduar pozitat në vend të tretë të klasifikimit. Një sukses për të cilin vetë trajneri Mezani, u shpreh pas ndeshjes: “E sotmja ishte një ndeshje shumë e vështirë, pavarësisht rezultatit 2-0. Kamza luajti mirë futboll dhe u rreshtua mirë në fushë, duke na mbyllur hapësirat, ndaj mund të them se ishte një fitore e vuajtur. Kamza ishte shumë e vështirë për t’u çarë, por pati shumë rëndësi që gjetëm golin e parë nga krahët dhe tani duhet të shikojmë përpara, duke iu kënaqur këtij rezultati. Sa më lart që ngjitesh, aq më e vështirë bëhet për të qëndruar në ato pozita”, komentoi tekniku vlonjat i Laçit, Mezani.

“Gjithsesi, skuadra është në moment të mirë dhe atmosfera në grup është shumë pozitive. Shpresoj që të mbetemi në këto pozita, por e di se duhet të punojmë shumë. Po punojmë që të mbajmë skuadrën me këmbë tokë, pasi kemi shumë djem të rinj. Futbollistët me eksperiencë po na ndihmojnë të mbajmë të përqendruar skuadrën. Nëse ne luajmë si në fazën e dytë, do të jemi skuadra për t’u mundur në Superiore, pa menduar të tejkalojmë masën”, deklaroi trajneri Gentian Mezani.

Më shumë nga Futboll