Kampionati Shqiptar

Laçi zyrtarizon Vucajn dhe Nikën

Erjon Vucaj është zyrtarisht futbollisti më i ri i Laçit.  Mesfushori shkodran ka vendosur të kthehet aty ku pati shkëlqimin në sallonin e madh të futbollit shqiptar. Gjithashtu kurbinasit kanë afruar edhe mesfushorin tjetër shkodran të Tiranës, Ansi Nikën. Si Vucaj ashtu edhe Nika ishin futbollistë të lirë pasi pak ditë më parë prishën akordin me klubin e Tiranës. Drejtuesit bardheblu deklaruan se lojtarët nuk ishte në planet e stafit teknik për pjesën e mbetur të kampionatit.

Edhe pse u afrua si një lojtar cilësor, dhe ishte një ndër më të paguarit te 24 herë kampionët Vucaj nuk tregoi asgjë nga repertori i tij në 1 vit e gjysëm në kryeqytet. Me transferimin te Laçi, 26-vjeçari ka një shans të artë për t’u rikthyer në nivelet e larta. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Vucaj ka firmosur një kontratë deri në përfundim të sezonit.

Me të njëjtën kohëzgjatje ka firmosur edhe anësori Ansi Nika, i cili u larguar me të njëjtin motivacion nga bardheblutë pas dy fazave të para ku grumbulloi 338 minuta. Dy shkodranët do të prezantohen nesër me ekipin dhe do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore me skuadrën e re në orën 9:00. Kurbinasit bashkë me Korabin janë dy ekipet që rrezikojnë më shumë të bien në Kategorinë e Parë dhe presidenti Pashk Laska është hedhur në sulm për të përforcuar skuadrën me lojtar cilësor, pasi mbijetesa duket shumë e vështirë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar