NBA

Lakers nuk kënaqen vetëm me LeBron, firmosin edhe me 3 “free agent” e presin Leonard

Skuadra e Lakers, pasi ka siguruar blerjen e yllit të NBA-së, LeBron James (kontratë 4-vjeçare me vlerë 154 milionë dollarë), po sot ka konfirmuar edhe ardhjen e 3 lojtarëve të tjerë “free agent”, duke mos u ndalur në merkato. Bëhet fjajë për Lance Stephenson, që sezonin e fundit ka luajtur me Indiana dhe ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 4,5 milionë dollarë. Dy të tjerë janë Kentavious Caldwell-Pope (rinovon me Lakers), ku do të përfitojë 12 milionë dollarë si dhe JaVale McGee (ka luajtur me Golden State), që do të përfitojë minimunin e rrogës.

Por me shumë gjasa merkato e skuadrës së Los Angeles Lakers nuk do të ndalet këtu, pasi objektivi tjetër madhor në merkato pas “King James” është Kawhi Leonard, lojtari që luan me San Antonio Spurs, por që ka deklaruar divorcin nga teksanët. Leonard ka deklaruar se dëshiron të luajë me Lakers, por për kalifornianët nuk ka për të qenë e lehtë, pasi San Antonio kërkon shumë lojtarë si këmbim. Pritet që palët të ulen në bisedime gjatë këtyre orëve për ta zgjidhur këtë ngërç. Ndërkohë, mësohet se LeBron James do të mbajë fanellën me nr.23 te skuadra e Lakers, numri i tij i preferuar.

Më shumë nga NBA