Kampionatet në Europë

Largimet, ja “lista e zezë” e PSG-së për merkaton e dimrit

Me shpenzimet e pabesueshme të kësaj vere, 222 milionë euro për Neymar, shto edhe ato të verës së ardhshme, ku Mbappe do të kushtojë 180 milionë euro, PSG-ja është e detyruar të kërkojë të ardhura. Klubit francez i duhet të anashkalojë “fair-play”-in financiar dhe mos ta ekspozojë veten karshi ndonjë ndëshkimi nga UEFA. Dhe, në këtë kuptim, një nga formulat është që të shesë lojtarët me çmimin më të mirë. Për këtë arsye, klubi parizien dëshiron të bëjë daljet e mëdha në merkaton e dimrit, teksa drejtori sportiv, Antero Henrique, thuhet se ka hartuar tashmë një “listë të zezë” me emrat që duhet të largohen nga skuadra e Unai Emery. Bëhet fjalë për operacione të realizueshme në janar, nga të cilat presidenca e sheikëve nga Katari shpreson të marrë një ndikim të konsiderueshëm financiar. Di Maria, Lucas Moura dhe Pastore janë lojtarët, nga shitja e të cilëve PSG-ja pret një çmim të mirë.

Di María, më i çmuari
Argjentinasi, i rekrutuar nga Manchester United në vitin 2015 për 63 milionë euro, pothuajse, siç pranohet edhe nga ai vetë, ishte duke e lënë PSG-në dhe do të shkonte te Barcelona gjatë kësaj vere. Por, klubi parizien e bllokoi atë, kur mori ofertën prej 40 milionësh, e pamjaftueshme. Me aktivizim të përhershëm para ardhjes së Mbappé, këtë sezon ai e ka humbur hierarkinë në formacion. Trajneri Emery, i cili dëshiron të mbajë atë, nuk mund t’i rezervojë një vend titullari, ndaj pista e shitjes duket e mirë për të gjitha palët. Problemi i madh është se Di Maria nuk është “punë jashtë”, pasi ka luajtur në Champions, çka e dëmton mundësinë e largimit në në dimër. Milani dhe Interi do ta dëshironin, por argjentinasi është shumë i shtrenjtë për të dy klubet italiane.

Lucas, “klani” i Neymar
Mik i ngushtë me Neymar, braziliani ka shkuar nga të qënit një nga më të përdorurit e Unai Emery sezonin e kaluar, për të luajtur më pak pas ardhjes së Draxler në janar. Ai shpesh qëndron në stol dhe vlerësimi për të po zbret nga dita në ditë. Lucas kushtonte 40 milionë euro në vitin 2013, por PSG-ja ka për qëllim të shesë me 30 milionë euro. Atë, gjithashtu, e kufizon fakti se nuk i përket merkatos së BE-së, por së shpejti mund të kërkojë shtetësi franceze. Kërkesa për brazilianin ka, por çdo gjë do të varet nga fakti nëse Neymar do të lejojë të humbasë një nga anëtarët më të dashur të “klanit” të tij.

Pastore, zëvendësuesi luksoz
Argjentinasi ishte simboli i parë i madh i presidencës nga Katari të PSG-së. Ai u bashkua me projektin parizien në verën e vitit 2011 për 43 milionë euro, një shumë e madhe në atë kohë. Sot, megjithatë, karriera e tij në Paris duket se ka “perënduar”. Pastore i ka dyert e aktivizimit të mbyllura plotësisht nga blerjet e reja dhe klubi do të mirëpriste largimin e lojtarit 28-vjeçar. Talenti i tij i pamohueshëm nuk mjafton në konkurrencën që ka skuadra e Unai Emery, ndaj është bërë një zëvendësues luksoz, të cilin klubi nuk mund ta përballojë më financiarisht. Paga e tij është më e larta dhe PSG-ja do ta shesë për 20 milionë euro.

Më shumë nga Kampionatet në Europë