Kombëtarja

Latifi: Emocion i papërshkruar të luash me fanellën e kombëtares

Liridon Latifi ishte pika referuese e Skënderbeut, me të cilin spikati dhe bëri emër, para se ta linte kampionatin shqiptar dhe, si pjesë e kombëtares kuqezi, të transferohej në Hungari, te Puscas Academy. Në një intervistë me portalin “Telegrafi”, prishtinasi rrëfen vitin e kaluar në aspektin profesional.

Nuk e fituat titullin me Skënderbeun, por arritët me golat e tu ta fusni në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Si ishin muajt e fundit me Skënderbeun dhe çfarë të mungon nga ky klub dhe ky qytet?
Është e vërtetë se më ka mbetur peng fitimi i titullit në vitin e fundit dhe shpesh e kujtoj ndeshjen e fundit në Kukës. Por jam i lumtur që e arritëm qëllimin tonë ne Evropë, të futemi në fazën e grupeve. Jo vetëm muajt e fundit, por të gjitha vitet e mia tek Skënderbeu kanë qenë të mrekullueshme. Më mungon Korça, sepse aty dashuria për futbollin është shumë e madhe.

Çfarë mund të thoni për Skënderbeun dhe edicionin në Evropë këtë sezon?
Skënderbeun e kam përcjellur vazhdimisht në Evropë dhe mendoj se në çdo ndeshje e kanë nxjerrë maksimumin. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe vërehet se çdo vit e me shumë skuadra është më e pjekur.

Pas një sezoni të shkëlqyer, arritët të nënshkruani në kampionati hungarez. Sa jeni të kënaqur me kushtet e klubit dhe si je pritur?
Pritja ka qenë shumë e mirë nga të gjithë, si stafi, ashtu edhe lojtarët. Kushtet atje janë të shkëlqyeshme.

Këtë vit erdhi edhe ftesa e Kombëtares A dhe debutimi. Si ndjeheni në fushë me fanellën kuqezi?
Po. Është arritja më e madhe e çdo futbollisti që ta përfaqësojë kombin e tij dhe gjithmonë e pres me kënaqësi të veçantë ftesën nga kombëtarja. Emocion i papërshkruar kur zbret në fushë me këtë fanellë. Jam krenar me këtë arritje.

Cili nga lojtarët te Kombëtarja A ju ka pritur më mirë?
Me të gjithë lojtarët në kombëtare kam marrëdhënie shumë të mira dhe nuk mund ta veçoj askënd.

Pas Puscas Akademy, cili kampionat më i madh do t’ju ishte përshtatur më shumë?
Momentalisht jam i fokusuar vetëm në klubin tim aktual. Planet e mia janë që të lë gjurmë edhe aty, pastaj ia lë në dorë klubit dhe menaxherit të ardhmen time.

Keni pasur një lëndim muajt e fundit, si është gjendja juaj aktualisht?
Po, kam pasur një lëndim që më ka lënë gjashtë javë jashtë fushës, por fatmirësisht tani gjithçka ka kaluar dhe me 5 janar jam plotësisht i gatshëm t’i bashkohem klubit në stërvitje.

A po e përcjellin kampionatin në Kosovë dhe Shqipëri?
Sa herë që më jepet mundësia dhe koha e shfrytëzoj rastin t’i përcjell gjithmonë si ligën e Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë. Shpresoj që shumë shpejt edhe klubet e Kosovës të kenë sukses në garant ndërkombëtare.

Më shumë nga Kombëtarja