Kombëtarja

Ledian Memushaj e mbyll me Beneventon, drejt rikthimit te Pescara

Sipas njoftimeve të Alfredo Pedulla, në orët e fundit, negociatat mes Pescara dhe Benevento janë intensifikuar për mesfushorin Ledian Memushaj, i cili do të kthehet në Pescara, pas gati një viti nga lamtumira e tij, për të shkuar te Benevento.

Mesfushori shqiptar largohet nga “Sannio” pas një sezoni shumë zhgënjyes atje. Ai do të luajë përsëri në Seria B, pasi ka qenë dy sezone atje; së pari me Pescara dhe pastaj me Beneventon. Pescara, përveç Memushajt, është gjithashtu shumë afër Gennaro Scognamiglio, një tjetër njohje e vjetër e Beneventos, që sezonin e kaluar luajti te Cesena.

Kujtojmë se Memushaj është një pikë referimi në kombëtaren shqiptare, por mungesa e aktivizimit e la atë jashtë zborit disaditor në Zvicër, në fillim të qershorit, dhe për pasojë, pa luajtur në miqësoret me Kosovën dhe Ukrainën, të dyja të humbura.

Trajneri Christian Panucci ka shumë nevojë për të dhe “senatorë” të tjerë kuqezinj, që duhet të sistemohen nëpër ekipe, ku të luajnë rregullisht. Në këtë mënyrë, ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë edhe kombëtaren shqiptare në përfaqësimin e saj në Ligën e Kombeve, duke nisur nga muaji shtator.

Më shumë nga Kombëtarja