Futboll

Legjenda e futbollit dorëhiqet nga drejtimi i FIFA-s pas dy vitesh

Ka zgjatur më pak se 2 vite aventura e legjendës së futbollit holandez Marco Van Basten si shefi i  Sektorit të Zhvillimit Teknik pranë FIFA-s. Ish-sulmuesi i “tulipanëve” dhe Milanit ka vendosur të dorëhiqet nga detyra, për t’i dedikuar më shumë kohë familjes së tij. Ka qenë vetë Van Basten ai që ka komunikuar vendimin e marrë, ndërkohë që nga 1 nëntori ai nuk do të jetë më në këtë detyrë.

Pas dy vitesh të bukura dhe interesante ka vendosur t’i them “mjaft” përvojës time në FIFA. Dua të kaloj më shumë kohë me familjen time në Amsterdam. Kam mësuar shumë gjëra duke qenë në krye të një pozicioni, që më dha mundësi të shfrytëzoj përvojën time në botën e futbollit. Aplikimi i sistemit VAR në Botëror do të mbetet suksesi im më i madh në këtë detyrë”, tha Van Basten.

Zvonimir Boban, zv.sekretari i FIFA-s, pas këtij vendimi, tha: “Që kur u bë pjesë e këtij institucioni, Marco ka qenë vendimtar në rritjen e Sektorit të Zhvillimit Teknik të FIFA-s. Bëri një punë të madhe në afrimin mes institucioneve dhe aftësia e tij i dha një mbështetje të madh futjes së teknologjisë në futboll. E falënderoj për gjithçka ka bërë për FIFA-n”.

Më shumë nga Futboll