Futboll

Legjenda Fadil Vokrri përjetësohet në stadiumin e Prishtinës

Stadiumi i Prishtinës duket më i bukur se kurrë pas rikonstruksionit total dhe është në pritje të ndeshjes testuese, me qëllim që të marrë edhe “ok”-in e UEFA-s për ndeshje që organizohen prej saj, sikurse janë edhe kualifikueset e kombëtares së Kosovës për Ligën e Kombeve.

Veç ngjyrave bardhë e kaltër të klubit të kryeytetit, FC Prishtina, këtë impiant sportive e lartëson më shumë emrin që ka marrë: ai i presidentit të ndjerë të Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri, që u nda nga jeta muajin e kaluar, pas një ataku kardiak. Në ballinën e këtij stadiumi, me germa të mëdha, është tashmë emri i Vokrrit, që me golat e tij për Prishtinën i bënte krenarë shqiptarët.

Ai arriti të bëhet ndër lojtarët më të mirë edhe në ish-Jugosllavinë 25-milionëshe, luajti edhe për Fenerbahcen e njohur turke dhe në fund, tashmë në rolin e zyrtarit, të kreut të futbollit kosovar, i dha fund izolimit ndërkombëtar të futbollit të shtetit më të ri në Ballkan, pas më shumë se dy dekadave, duke qenë në krye të sipërmarrjes për antarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Më shumë nga Futboll