Tenis

Legjenda Federer nuk ndalet, shkon në finalen e Wimbledon

Roger Federer është finalisti i dytë i grand slemit të Wimbledonit, pas fitores 3-0 (7-6, 7-6, 6-4) arritur sot në mbrëmje në fushën me bar të Londrës ndaj çekut Tomas Berdych. Një fitore shumë e vështirë e tenistit zviceran, që në dy sete iu deshën pikët shtesë për të mposhtur çekun, që rivalizoi fort dhe largohet me kokën lart. Gjithsesi, Federer e meritoi fitoren dhe në moshën 35-vjeçare do të tentojë të fitojë për të 8-n herë në karrierën e tij grand slemin e preferuar, atë të Wimbledonit. Në finale, Federer do të përballet me kroatin Marin Cilic. Ajo që bie në sy është se zvicerani, deri më tani, nuk ka humbur asnjë set në këtë turne, duke qenë favorit edhe në finalen e së dielës.

Dy setet e para janë të rivalizuara pikë më pikë, ku tenistët fitojnë thuajse të gjitha “game” me shërbimet e tyre. Për një moment, në setin e parë, Federer fiton një “game” me topat e Berdych, por çeku hakmerret shpejt dhe barazon shifrat. Në “tie break”, Federer është i pagabueshëm dhe fiton 7-6. Në setin e dytë asnjë nga tenistët nuk toleron në fushë me shërbimet e tij dhe pas disa barazimesh sërish gjithçka vendoset në “tie berak”. Dhe sërish Federer fiton 7-6, duke udhëhequr 2-0 me sete. Rivalitet nuk mungon as në sertin e tretë, por Federer arrin të fitojë një “game” me topat e Berdych, duke mos gabuar më deri në fund dhe fiton 6-4 setin e krejt ndeshjen 3-0. Legjenda Federer vazhdon të mahnisë.

Tenisti cek Tomas Berdych

Më shumë nga Tenis