Futboll

Letër nga një milanist: Ruhuni, Serie A do të shkojë në “Djall”!

Letër nga një milanist: Ruhuni, Serie A do të shkojë në “Djall”!

Shkrimi i mëposhtëm është dërguar me mesazh në “Telesport” nga një tifoz i Milanit, i cili dëshiron të shprehë emocionet e tij për ringritjen e skuadrës së tij të zemrës. Ai paralajmëron rivalët e kuqezinjve se sezoni i ardhshëm do të jetë plot makth për ta, sepse “Djalli” është gati për të pushtuar Italinë dhe, pse jo, edhe Evropën.

Nëse dëshironi, kushdo prej jush mund të shkruajë diçka të këtij lloji dhe ne do ta publikojmë me kënaqësi në sajtin tonë. 

“I nderuar Milan!

Kam më shumë se një dekadë që jam tifozi yt. Të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë. E pranoj, vitet e fundit kam lënë plot ndeshje pa parë, por ta dish se fajin kryesisht e ke ti. Ke qenë i dobët. Ne dikur kishim yje si Van Basten, Kaka dhe Shevchenko, kështu që kam vuajtur duke parë lojtarë mediokër. Dakord, tani të fal gjithçka. Edhe familja ime kështu e ka pësuar disa herë. Kjo është jeta, apo jo?

Faleminderit për gjithçka që po bën për ne. Ti po merr frymë, po ngjitesh prapë lart, aty ku të takon ngahera. Ti je Milani, një histori, një mit. Ti je gjithçka.

A e ke vënë re që të gjithëve u ka hyrë frika? Po, vetëm prej teje. Po shpenzon thuajse 200 milionë euro në merkato dhe, me yje si Bonucci, Calhanoglu dhe Silva, tashmë jemi edhe ne pretendentë për titullin. Përjashto interistët dhe juventinët (Zot, sa i urrej!), të gjitha tifozeritë e tjera po na urojnë fat. Këtu e kuptoj sa i madh je, o Milan.

Tani kemi një portier të klasit botëror, më të mirin në Itali. Kemi një mbrojtje ku ndërthuren përvoja, forca, shpejtësia, teknika dhe dinamika, ashtu si në mesfushë, ku unë po pres me padurim portugezin Sanches, sepse ai mund të jetë Seedorf i ri. Kessié, ah, sa i madh! Sikur më ke lexuar mendjen! Këtë doja në mesfushë. Sulmi? Deri tani, fantastik! Andre Silva është magji, s’kam lënë video të tij pa parë. Sa keq më erdhi për Deulofeun! Milan, po sikur ta riktheje? Blija Barcelonës! Atje do të jetë në stol, kurse këtu në Milano, edhe pse tani e tutje do të kemi yje, prapë e gjejmë një vend për të.

Milan, ti besoj e di. Unë dhe miqtë e mi, me zemrën përherë kuqezi, sikur të ishe kombëtarja jonë e dytë, po presim sulmuesin e madh, “bomberin”. Bli kë të duash, zemra ime! Mjafton të kemi një “star”. Tek ai do të varim shpresat dhe do t’i thurim vargje çdo fundjavë, sa herë topi të rrokë rrjetën dhe tabela të shpërthejë edhe në shifra dyshifrore.

Pse jo? Me ty gjithçka mund të ndodhë. Me dy shkoj edhe në qiell.

Kam edhe diçka për Interin, Juventusin, Romën dhe Milanin. O mjeranë, ruhuni mirë! Tani po që do të shkoni në ‘Djall’ dhe ky jemi ne!”

 

 

Më shumë nga Futboll