Bundesliga

Lewandowski “lë thatë” sulmin, Rummenigge paralajmëron blerje

Bayern këtë të martë nuk do të ketë asnjë sulmues qendre në ndeshjen me Celtic-un në Champions League. Robert Lewandowski ka një problem në kofshë dhe trajneri Jupp Heynckes nuk ka dashur të rrezikojë. Polaku nuk ka udhëtuar me skuadrën në Skoci, ashtu si edhe Thomas Müller, i cili nuk mund të luajë për rreth tri javë (dëmtim muskular).

Heynckes ka befasuar në konferencën e tij për shtyp me gazetarët, sepse ka sugjeruar se mund të luajë me sistemin 4-4-2 duke përdorur si sulmues “fluturuesit” Arjen Robben dhe Kingsley Coman. Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia që 72-vjeçari të zgjedhë një mesfushor në rolin e sulmuesit të fshehtë.

Çfarëdo që të ndodhë, në Mynih duket se e kanë ndarë mendjen: duhet një sulmues tjetër. Kjo ka qenë një temë e nxehtë prej vitesh për kampionët e Bundesligës, por gjendja aktuale veçse ka shtuar alarmin për të vepruar.

Karl-Heinz Rummenigge, i pyetur nëse klubi do të ndërhyjë në merkaton e dimrit, është përgjigjur: “Nëse dikush nga stafi na përmend ndonjë emër, do ta marrim parasysh”. Shefi ekzekutiv e ka pranuar edhe më parë se skuadra vuan në këtë aspekt. Verën e shkuar, emrat më të përmendur për sulmin e Bayern-it ishin Anthony Modeste, Sandro Wagner dhe Mario Gomez. Shohim kush do të jetë i përzgjedhuri.

Më shumë nga Bundesliga