Kampionati Shqiptar

Lici: Nëse Sukaj furnizohet si duhet, golat nuk do mungojnë…

Skuadra shkodrane ka nisur përgatitjet për sfidën e së hënës, ndaj Teutës, dhe padyshim që rëndësia e saj është e madhe. Gjatë gjithë kësaj periudhe, asaj janë duke i qëndruar pranë edhe figurat e njohura të klubit dhe njëri ndër to është Suad Lici. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë ka qenë në Lushnjë ditën e shtunë dhe e ka ndjekur skuadrën e tij të zemrës. Natyrisht, në prononcimin e tij ka vend edhe për ndonjë kritikë, por nga ana tjetër është i mendimit se skuadra po funksionon: “Duke u ndalur te ndeshja e Lushnjës, dua të them se çdo fitore është shumë e rëndësishme. Aq më tepër kjo e fundit, sepse skuadra vinte pas dy humbjesh, prandaj nuk duhet t’i ulen meritat asaj për këtë sukses, pavarësisht se nga shumëkush mund të jetë konsideruar i lehtë. Kjo fitore i ka dhënë qetësinë Vllaznisë. Tashmë ekipi ka mundësinë për ta përgatitur më mirë këtë ndeshje.

Edhe në renditje ajo është më lart se Teuta dhe ky është një avantazh. Djemtë, me mbështëtjen edhe të publikut, mendoj se do të japin më të mirën në sfidën e radhës. Ajo që duhet është vetëm të mos i vëmë nën presion, sepse kam besim se rezultatet do të vijnë. Duhet të shfrytëzojnë edhe gjendjen jo të mirë të Teutës. Pas humbjes së fundit, ajo do të jetë e goditur psikologjikisht. Këto 3-4 javë janë të rëndësishme për Vllazninë, sepse më pas do të marrë rrugë gjithçka, prandaj ta mbështesim sa më shumë. Duke marrë rezultate pozitive, të gjithë shkodranët do të jenë më të qetë, sepse ata jetojnë me ecurinë e kësaj skuadre. Vllaznia duhet të jetë shumë kompakte dhe të luajë më tepër me krahët. Po ashtu, dy qendrat e mesfushës duhet të jenë më pranë sulmit. Nëse Sukaj furnizohet si duhet, golat nuk do mungojnë prej tij”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar