Volejboll

Liga e Europës, kombëtarja e femrave sfidon Suedinë në gjysmëfinale

Kombëtarja e femrave në volejboll do të luajë ndaj Suedisë në gjysmëfinalet e Divizionit të Argjendtë të Ligës së Europës, ndeshje që do të luhet në Nykoping të Suedisë më 16 qershor. Në fazën finale të këtij turneu u kualifikuan Austria e Shqipëria nga Grupi B si dhe Suedia e Estonia nga Grupi B. Sipas shortit të CEV, në gjysmëfinale luhet me formulën A1-B2 dhe A2-B1, çka do të thotë që vajzat kuqezi të trajnerit Altin Martiri do të përballen me Suedinë në gjysmëfinale, ndërsa Austria me Estoninë në gjysmëfinalen tjetër.

Kjo fazë finale e Ligës së Europës do të organizohet në Nykoping të Suedisë, që është edhe pretendtja kryesore për fitimin e këitj turneu dhe për t’u kualifikuar në Ligën e Artë sezonin e ardhshëm. Pavarësisht se vajzat kuqezi do të luajnë ndaj vendit organizator, mobilizimi i kombëtares ka qenë i madh dhe stërvitja ka vijuar rregullisht, për të qenë gati më 16 qershor, kur luhet gjysmëfinalja e parë. Stafi shpreson të rikuperojë disa lojtarë të dëmtuara, veçanërisht Bicin, me synimin për të bërë një paraqitje të mirë  edhe në Suedi.

Më shumë nga Volejboll