Volejboll

Liga e Europës, kombëtarja humbet ndaj Suedisë, nëser sfida për vendin e tretë

Kombëtarja e femrave në volejboll është mundur sot pasdite 3-0 nga Suedia, në takimin e vlefshëm për gjysmëfinalet e Ligës së Europës, ndeshje e zhvilluar në Nykoping të Suedisë. Kombëtarja vendase, organizatore e kësaj fazë finale, e meritoi fitoren, duke qenë ndjeshëm më superiore në fushë se vajzat kuqezi, duke e dominuar lojën në të trija setet.

Për asnjë moment Shqipëria nuk arriti të dominojë, duke qenë gjithnjë në ndjekje, duke humbur kështu mundësinë për të shkuar në finale. Kombëtarja edhe pse arriti objektivin, duke shkuar në fazën finale, synonte diçka më shumë, por pa sukses. Nesër, kombëtarja e drejtuar nga trajneri Altin Martiri do të luajë për vendet 3-4, me humbësen e ndeshjen tjetër gjysmëfinale mes Austrisë dhe Estonisë.

Shqipëria u klasifikua e dyta në Grupin B eliminator, pas Austrisë (5 fitore e 1 humbje) dhe synonte të kapte finalen e Divizionit të Argjendtë, por pa sukses. Që në startin e ndeshjes u kuptua qartë se ndaj Suedisë do të ishte shumë e vështirë, pasi vendaset kanë komandën e lojës, shkëputen gradualisht dhe fitojnë 25-14 setin e parë.

Në setin e dytë loja e Shqipërisë është më e mirë, rivalizon deri në fund, por pa arritur të fitojë dhe rihapë ndeshjen. Suedezet janë më të kujdesshme në pikët vendimtare, duke u shkëputur dhe fitojnë 25-21. Këtu mbyllet loja e Shqipërisë, që në setin e tretë luan me hope, ndërsa volejbollistet nordike kanë epërsi dhe shkëputen që në start dhe fitojnë 25-21 e krejt takimin 3-0.

Suedi – Shqipëri, 3-0 (25-14, 25-21, 25-21)

SUEDIA: Areskoug, Ahman, Andersson, Wasserfaller, Tegenfalk, Sjoberg, Topic, Lazic, I.Haak, Hansson, Lundvall, A.Haak. Trajner: Guillermi Gallardo

SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri

Gjyqtarë: Tibor Halasz (Hungari), Philippe Schurmann (Austri)

Më shumë nga Volejboll