Kampionati Shqiptar

Liga e Europës, mundësi më shumë për skuadrat shqiptare

Me anë të një artikulli të publikuar në faqen zyrtare të saj, UEFA ka përcaktuar edhe strukturën e re të Ligës së Europës. Struktura e re është menduar e tillë, që t’u japë një mundësi të gjitha klubeve pjesëmarrëse në turet paraeleminatore, që të shkojnë në grupet e Ligës së Europës. Po si funksionon struktura e re?!

Klubet shqiptare, që do të luajnë në raundet kualifikuese të këtij kompeticioni, do të ndeshen vetëm me skuadra, të cilat kanë bërë të njëjtën rrugë si ato. Pra, thënë ndryshe, Kukësi, Luftëtari dhe Laçi, që janë deri tani të konfirmuara në Ligën e Europës, do të kenë kundërshtarë skuadra jokampione, të cilat në kampionatet përkatëse janë renditur njësoj si ato.

Ndërkohë, skuadrat shqiptare që luajnë në në Ligën e Kampionëve, Skënderbeu, nëse fiton në CAS ndaj UEFA-s, dhe Shkëndija e Tetovës, nëse këto dy skuadra do të skualifikohen gjatë rrugës nga Liga e Kampionëve dhe do të luajnë në Ligën e Europës, ato do të përballen në këtë kompeticion vetëm me skuadra që kanë bërë të njëjtën rrugë si ato.

Kjo skemë e re e UEFA-s për Ligën e Europës është krijuar me synimin që të rrisë shanset për skuadrat e vogla, që të kualifikohen në fazën në grupe të këtij kompeticioni. Kështu, skuadrat shqiptare pjesëmarrëse turet kualifikues të Ligës së Europës, do të kenë mundësi më të mëdha për t’u kualifikuar në fazën e grupeve, pasi shorti do të vërë përballë tyre kundërshtarë të të njëjtit nivel.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar