Connect with us

Ligue 1

Ligue 1, PSG mund t’i “dhurojë” titullin Monaco-së

Monaco do të kthehet në fushë mbrëmjen e së dielës pas eliminimit nga Champions League. Lojtarët e Jardim tani do të jenë të përqendruar të sigurojnë titullin në Ligue 1. Ata kanë tri ndeshje në dispozicion dhe duhet të marrin 4 pikë për t’u shpallur kampionë të Francës. Dy nga tri ndeshjet e mbetura të këtij sezoni do t’i luajnë në shtëpi. Monaco nuk ka humbur një ndeshje në “Stade Louis II” që në dhjetor të 2016-ës, kur janë mundur 1-3 nga Lyon. Ata janë të pamposhtur në 17 ndeshjet e fundit dhe kanë fituar 9 radhazi në kampionat. Kundërshtari i tyre i sotëm do të jetë Lille, që nuk po zhvillon një sezon aspak të mirë. Ata mbajnë vendin e 11-të në renditje dhe në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit kanë marrë 3 humbje dhe dy fitore.

Por Lille është paraqitur më mirë në ndeshjet e luajtura në transfertë duke marrë katër fitore dhe një barazim në gjashtë ndeshjet e fundit. Këto dy ekipe janë ndeshur dy herë të tjera në këtë sezon. Ndeshja e fazës së parë të kampionatit është fituar 4-1 nga Monaco. Ndërsa takimi i zhvilluar në prill, i vlefshëm për Kupën e Francës, është fituar gjithashtu nga bardhekuqtë. Tri ndeshjet e fundit të kampionatit të luajtura mes Monaco dhe Lille në “Stade Louis II” janë mbyllur në barazim, ndërsa miqtë nuk fitojnë në fushën e Monaco prej 2009-ës, vitin kur skuadra e Principatës ka rënë nga kategoria. Ndërkohë, po sot do të zbresë në fushë edhe Paris Saint-Germain, me kampionët në fuqi që do të luajnë në fushën e Saint-Etienne. Vendasit janë në vendin e shtatë në renditje, jashtë garës për një vend në Europë, edhe pse jo akoma matematikisht. Në 10 ndeshjet e fundit ata kanë arritur të marrin vetëm 2 fitore.

Nga ana tjetër, shpresat e PSG për të mbrojtur titullin kanë marrë një goditje të fortë pas humbjes së pësuar në Nice dy javë më parë. Ata kanë reaguar me një fitore 5-0 të regjistruar kundër Bastias fundjavën e kaluar. Nëse lojtarët e Emery nuk marrin pikët e plota, Monaco do të shpallet kampione e Francës. PSG ka dominuar përballjet direkte me St Etienne. Në fakt, “Les Parisiennes” janë të pamposhtur në 14 ndeshje të luajtura kundër vendasve, me 9 fitore dhe 5 barazime të marra në këto takime.

Më shumë nga Ligue 1