Mix

Lindsey Vonn tërhiqet nga Kupa e Botës: Objektivi mbetet Olimpiada

Vijon momenti i keq për skiatoren amerikane Lindsey Vonn, ikonën e këtij sporti, që ka deklaruar se për një periudhë ende të pacaktuar, nuk do të garojë, për shkak të një dëmtimi në vertebra, të pësuar gjatë garës së ditës së shtunë, të zhvilluar në pistën e St.Moritz (Zvicër). Skiatorja hoqi dorë nga gara e ditës së dielë (garë e cila nuk u zhvillua për shkak të kushteve atmosferike), duke deklaruar se ka nevojë për një periudhë të gjatë rehabilitimi. “Jam shumë shumë e zhgënjyer, por tani për mua objektivi kryesor mbetet Olimpiada Dimërore. Kam nevojë të kujdesem për veten, për të qenë gati”, u shpreh Vonn në një deklaratë në rrjetet sociale.

Pas garës së ditës së shtunë, ku mbërriti në finish në vendin e 24-t dhe me dhimbje në shpinë, ajo u transportua në spital për disa kontrolle dhe ka marrë mjekim. Ajo ka nevojë për pushim absolut, për të rikuperuar dëmtimin dhe për të qenë gati për Olimpiadën që zhvillohet në shkurt në Korenë e Jugut. Kjo është një zgjedhje e detyruar e skiatores amerikane, që mezi pret të rikthehet në pistë për të treguar aftësitë e saj. Ajo shpreson të jetë në Olimpiadën e Pyongchang në formën optimale, për të siguruar një tjetër medalje, duke hequr dorë nga pretendimet në Kupën e Botës.

Më shumë nga Mix