Champions League

Liverpool me pesë “yje”, finalja është vetëm një formalitet…

Një Liverpool i jashtëzakonshëm ka fituar 5-2 ndaj Roma dhe praktikisht është me një këmbë në finalen e Champions League.

Një paraqitje fantastike e skuadrës së Jurgen Klopp shkatërroi krejtësisht të besuarit e Eusebio Di Francesco, të cilët do të kenë nevojë për një tjetër mrekulli si ajo ndaj Barcelonës në ndeshjen e kthimit.

Çuditërisht, Roma dominoi në 20 minutat e para, por më pas ndodhi “katastrofa”, e nisur nga një ish-futbollist i verdhekuqve, Mohamed Salah, të cilin Liverpool e bleu për 60 milionë euro gjatë merkatos së verës.

Dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë, Salah mposhti portierin Alisson me një goditje të shkëlqyer në trekëndësh, të papritshme nga braziliani.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, egjiptiani shënoi edhe golin e dytë me kundërsulm, në një sezon madhështor për të me 43 gola në 46 ndeshje zyrtare.

Pasi fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Premier League, Salah ka hedhur një kandidaturë të fortë edhe për “Topin e Artë”.

Në pjesën e dytë, Salah nuk shënoi më, por “ndërtoi” golat e tjerë për “të kuqtë”, në një natë të paharrueshme.

Me asistet e Salah, Saido Mane dhe Roberto Firmino i çuan shifrat në 4-0, ndërsa golin e pestë e shënoi sërish Firmino, me një goditje me kokë, gjatë një korne, kur mbeteshin edhe 20 minuta lojë.

Liverpool ka shënuar 38 gola në këtë edicion të Champions League, më shumë se çdo ekip tjetër.

Gjithsesi, Edin Dzeko firmosi golin e parë për Romën, dhjetë minuta para fundit, ndërsa goli i dytë i Perotti me penallti, pesë minuta para fundit i jep një shpresë të vakët italianëve për në “Olimpico”.

Mbyllet 5-2 në “Anfield Road”, tifozët e Liverpool nuk e kishin imagjinuar as në ëndrrat më të bukura, teksa tani duhet të fillojnë të mendojnë për një transfertë në finalen më të madhe të sezonit, në Kiev.

VIDEOT / Golat e ndeshjes nga “Twitter”…

Më shumë nga Champions League