Champions League

Liverpool mposht Parisin “me një sy”

Liverpool ka fituar supersfidën me Paris Saint-Germain falë golit spektakolar të Firmino-s në sekondat e fundit të takimit. Firmino humbi vendin e titullarit pas gishtit që i futi në sy Vertonghen gjatë fundjavës në Premier League, dhe është futur në fushë vetëm në fund për të bërë diferencën.

Liverpool e nisi me zjarr ndeshjen falë edhe atmosferës madhështore në Anfield duke mbytur PSG me presionin që në sulm. Pas disa mundësive të mira për të shënuar, ishte zëvendësuesi i të dëmtuarit Firmino, Daniel Sturridge, ai që zhbllokoi rezultatin pas fiks gjysmë ore lojë.

James Milner dyfishon rezultatin gjashtë minuta më pas nga pika e bardhë e penalltisë dhe u duk sikur do të ishte një shëtitje për Liverpool. Por teksa tresha e frikshme e sulmit të PSG ishte akoma duke fjetur, ishte Meunier ai që ngushtoi diferencën pak minuta përpara se skuadrat të riktheheshin në dhomat e zhveshjes.

Pas pushimit historia ishte e njëjtë, Liverpool sulmon, ushtron presion, ndërsa PSG duket si një ekip që nuk di si t’i përgjigjet lojës agresive të Anglezëve. Treshja e sulmit të PSG vazhdon të qëndrojë në hije dhe kjo edhe për shkak se nuk furnizohet me topa nga mesfusha. Por një gabim në mbrojtje i Të Kuqve ka bërë që PSG të barazojë rezultatin me Kylian Mbappe në minutën e 83’. Mbase një goli pamerituar, por që Parisit nuk do t’i interesojë shumë. Gjithsesi Liverpool rimerr kryesimin me një gol spektakolar të Firmino-s i cili ishte futur në vend të Sturridge. Një avantazh më se i merituar i vendasve dhe Anfield fillon këngën e famshme “You’ll Never Walk Alone”.

 

Ndërsa ndeshja tjetër e grupit C ka përfunduar në një barazim të mërzitshëm pa gola mes Crvena Zvesda-s dhe Napolit që nuk arriti ta niste mirë edicionin e ri të Champions League.

Ndërkohë në grupin D, Galatasaray ka thyer mallkimin duke fituar për të parën herë në historinë e Champions League ndaj një klubi rus. Turqit kanë mposhtur Lokomotivën e Moskës me rezultatin 3-0 me dy gola të shënuar që në pjesën e parë. Ndërsa Schalke 04 ka barazuar 1-1 ndaj Porto-s në një ndeshje që mund ta kishte fituar po të mos ishte për penalltinë e shkaktuar nga Naldo pranë fundit të takimit.

Atletico Madrid ka përmbysur rezultatin në ndeshjen e parë të grupit A ndaj AS Monaco-s duke marrë kryesimin falë triumfit 2-1. Ndërkohë Dortmund ka vuajtur ndaj belgëve të Club Brugge por në fund kanë marrë një fitore 1-0 të rëndësishme falë Pulisic.

Më shumë nga Champions League