RUSI 2018

Low, pas triumfit rus: Fitimi i Botërorit, shumë më i vështirë

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew, ishte i mrekulluar nga lojtarët e tij të rinj, të cilët u shpallën kampionë të dielën, në Kupën e Konfederatave, pasi mundën Kilin 1-0 në finale, por paralajmëroi se titulli botëror i vitit të ardhshëm do të jetë “shumë më i vështirë”. “Ky ekip ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në këtë turne. Në finale luftoi për çdo metër të fushës dhe e ka bërë shumë mirë detyrën. Unë jam super i kënaqur prej tyre, – ka thënë Loew për televizionin “ZDF”. – Në fillim ishim pak nervozë, por një finale është diçka magjike. Pjesa e dytë ishte e vështirë, sepse kilenët nuk dorëzohen”.

Pavarësisht nga euforia e momentit, Loew këmbënguli se ky sukses nuk do të thotë asgjë për vitin e ardhshëm, Kupën e Botës, që gjithashtu do të luhet në Rusi. Natyrisht, atje “Mannschaft” do të kërkojë të mbrojë titullin, që e fitoi në Brazil, në vitin 2014. “Për Botërorin mund të them se secili nga lojtarët, që ishte në këtë turne, ka një pozitë më të mirë se më parë. Ne kemi kërkuar për t’i lënë pushim lojtarët me përvojë dhe kjo që aplikuam rezultoi me mjaft sukses. Kuptohet, për të mbrojtur një titull botëror është diçka e vështirë, shumë më e vështirë se këtu në Kupën e Konfederatave,”-  shtoi ai.

Në konferencën pas ndeshjes, ku ndodhej edhe Marc-André ter Stegen, i zgjedhur si lojtari më i mirë i shtypit, trajneri u ndërpre nga disa lojtarë, të cilët freskonin Loew me shampanjë. Lojtarët hynë në dhomën e konferencave për shtyp duke kënduar himnin në gjermanisht, duke thirrur “ne jemi numri 1” dhe pastaj “champions, kampionë” në spanjisht, para se t’ua linin vendin gazetarëve për pyetjet e tyre.

 

Më shumë nga RUSI 2018