Futboll

Lojë mediokër, Tirana e Flamurtari ndahen në barazim

Është mbyllur në barazim pa gola ndeshja e fundit e javës së 23-të mes Tiranës dhe Flamurtarit, njëlloj sikurse supersfida që e parapriu, ajo mes Kukësit dhe Partizanit, por vetëm sa i përket rezultatit final dhe aspak për lojën dhe performancën e servirur në fushë. Një ndeshje me një pjesë të parë tërësisht të vakët me vetëm dy tentativa të regjistruara në fazën ofensive nga ekipi vlonjat. Disi më ndryshe është shfaqur dueli në pjesën e dytë, me të dyja ekipet deri diku të shpërbëra dhe çekuilibruara në 20 minutat e fundit, ku nuk munguan edhe rastet flagrante për gol. Por, njëlloj si në mungesën e fantazisë dhe rrjedhshmërisë, ashtu mungoi edhe saktësia në finalizim, për të bërë që të dy ekipet të kënaqen me nga një pikë, që në të vërtetë nuk u shërben aspak në lidhje me objektivat dhe pretendimet e tyre në klasifikim. Pas këtij barazimi, Tirana ruan vendin e pestë, në kuotën e 28 pikëve, vetëm tetë pikë më shumë se Flamurtari i vendit të parafundit.

Tirana-Flamurtari 0-0.

Pjesa e parë

Mbase e ndikuar nga pozitat aspak të favorshme të dy ekipeve, gjithashtu nga nevoja e tyre e domosdoshme për pikë, ky fraksion i parë loje ka qenë tërësisht larg të qënit një ndeshje e mirëfilltë e elitës së futbollit shqiptar, aq më pak një dueli mes dy rivalëve si Tirana e Flamurtari. Rasti i parë i rrezikshëm është regjistruar në minutën e 30’ dhe ky në favor të miqve nga Vlora, të cilët me Galiç kanë tentuar të gjejnë rrugën e rrjetës, por topi i goditur prej tij me kokë ka përfunduar jashtë kuadratit, ngjitur me shtyllën e portës së mbrojtur nga Ilion Lika. Edhe rasti tjetër i vetëm për tu regjistruar i përket ekipit vlonjat që në të 42’ i janë afruar golit të epërsisë me Alvesh që ka tentuar me kokë, por duke finalizuar jashtë portës bardheblu.

Tirana renditet në vend të 5-të me 28 pikë, Flamurtari në të 9-in me 21.

Pjesa e dytë

Edhe ky fraksion i dytë loje ka nisur me një tjetër rast të miqve, me të njëjtin protagonist, Alvesh që sërish nuk arrin të shënjestrojë si duhet portën e Tiranës. Bardheblutë kanë dhënë sinjalin e tyre të parë me polivalentin Taku, që në pamundësi për të depërtuar në zonën e Flamurtarit, ka tentuar me një goditje nga jashtë zone në të 72’, por pa saktësi në finalizim. Vetëm dy minuta më pas, vlonjatët shpërdërojnë rastin e tyre më të mirë në dispozicion, teksa Galiç nuk arrin të shfrytëzojë si duhet një gabim të rëndë të mbrojtjes bardheblu, kur i vetëm përballë portierit Ilion Lika e dërgon topin mbi traversë. Skuadra e Tiranës kundërpërgjigjet vetëm pak minuta më pas me një kombinim perfekt mes Takut dhe Dajës, me të parin që ka dhënë një asist perfekt në zonën vlonjate, ndërsa Daja ka goditur, por topi është devijuar në goditje këndi. Në të 83’ Shehaj tenton të gjejë rrjetën me një goditje nga jashtë zone, por topi është qëndror dhe neutralizohet pa problem nga portieri i Tiranës. Bardheblutë kundërpërgjigjen menjëherë, me një tjetër rast flagrant në të 84’. Kësaj here është i riu Bajrami që merr një krosim perfekt nga e djathta por finalizimi i tij lë për të dëshiruar, pasi i vetëm përballë Halilajt, dorëzon topin në duart e portierit të vlonjatëve.

Tirana-Flamurtari 0-0

Tirana: I. Lika, Doka, Cake, Muça, Teqja, Taku, Daja, G. Lika, Moise, Halili, Ede.
Trajner: Mirel Josa

Flamurtari: Halilaj, Beqaj, Jakovleviç, Veliu, Mersini, Telushi, Galiç, Hyseni, Neziraj, Fazliu, Alvesh.
Trajner: Shpëtim Duro

Gjyqtar: Glen Toma

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll