Bundesliga

Lojtarët po flasin shumë, mos vallë është dobësuar Hoeness?

Lojtarët po flasin shumë, mos vallë është dobësuar Hoeness?

Bayern është duke hyrë në krizë (për të mos thënë që ka hyrë) dhe kjo nuk ka të bëjë edhe aq me rezultatet, sa me mënyrën se si flasin lojtarët e vet. 

Më i fundit qe Robert Lewandowski, i cili kritikoi hapur fushatën e marketingut që skuadra bëri në verë dhe politikën jo edhe aq efikase të merkatos. Sipas polakut, klubi duhet të blejë yje dhe jo të ndalet te shifra 40 mln euro, rekordi i tij. Në medie kjo është transmetuar si ankesë e sulmuesit për shokët e tij të skuadrës.

Ndryshe nga ç’ndodh me një klub të nivelit botëror, kjo deklaratë është kritikuar ashpër nga drejtuesit, më saktë Karl-Heinz Rummenigge. Shefi ekzekutiv i Bayern-it ka paralajmëruar se do ta qortojë lojtarin dhe se, kush kritikon klubin, duhet të përballet me të. Pra, një formë diktature, apo jo? Fjalitë-ultimatum s’duhen thënë në publik!

Para polakut Lewandowski, ai i cili krijoi një çështje në Mynih qe Thomas Müller. “Nuk e di se çfarë do trajneri”, – shprehej ai pas ndeshjes së parafundit në kampionat me Werder Bremen-in, ku Carlo Ancelotti e la në stol për 73 minuta. Edhe për gjermanin, Rummenigge ka theksuar se nuk duhet të flasë, por të luajë.

A nuk ju duket se hierarkia bavareze ka humbur disi kontrollin? Po Hoeness, pse nuk po flet me ironi apo me fjalë të forta si më parë? Mos vallë ai nuk e ka më ndikimin e dikurshëm? Natyrisht, si një ish-i burgosur, gjërat nuk mund të jenë njësoj, me gjithë respektin për një njeri të madh si ai, i cili e ka rifituar postin me meritë të plotë.

Kur Franck Ribery kishte probleme para disa vitesh, e dinte zgjidhjen: një vizitë në zyrën e presidentit. “Papa Uli di si të flasë me lojtarët”, – shpjegonte francezi. E vërtetë, por gjendja nuk është më e tillë, ama.

Më shumë nga Bundesliga