Kombëtarja

Lorik Cana analizon kombëtaren dhe komplimenton në mënyrë të veçantë këtë futbollist

Ish-kapiteni ynë kuqezi, Lorik Cana, nuk mund të mungonte në ndeshjen e parë të kombëtares për Ligën e Kombeve. Fitorja 1-0 ndaj Izraelit i ka lënë një shije të mirë, ndërkohë që nuk heziton të thotë se janë ende shumë gjëra për t’u rregulluar. Lartëson dëshirën e madhe të të gjithë lojtarëve kuqezinj, që ishin në fushë, por kryesisht veçon paraqitjen mbresëlënëse të debutuesit Egzon Binaku në krahun e majtë të mbrojtjes.

Ja analiza e plotë e ish-kapitenit: “Me rëndësi është që kemi fituar dhe kemi mundësi të punojmë me një klimë të mirë në vijim. Sigurisht, ka shumë gjëra që duhet të përmirësohen, nëse duam të marrim rezultate të mira. Fundja, fitorja na lë shije mjaft të mirë, sepse mundëm një kundërshtar, i cili nuk është aspak i lehtë.

Kjo na jep mundësi të punojmë me qetësi dhe ta përgatisim si duhet ndeshjen e pas tri ditëve në Skoci. Fati më së shumti ndihmon atë që e kërkon, por duhet t’i rregullojmë disa gjëra, që të mos mbetemi në dorë të rastësisë. Luajtëm më mirë në pjesën e dytë. Janë gabime të përmirësueshme.

Në fakt, mbrojtësin e krahut të majtë, Binakun, nuk e kisha parë asnjëherë “live” dhe më bëri një përshtypje jashtëzakonisht të mirë. Thomas zhvilloi një ndeshje shumë cilësore, me nivel dhe në momentet kyçe u tregua gati. Veseli, pavarësisht vështirësive të fillimit, e mori shumë mirë veten dhe shpëtoi nja dy-tri raste decizive.

Edhe lojtarët e tjerë luajtën me shumë dëshirë, më shumë moral, edhe pse jo në formën më të mirë të mundshme fizike. E përsëris, kjo fitore do të na ndihmojë të çlodhemi edhe psikologjikisht. Të ardhme sigurisht që ka për kombëtaren. Gjithmonë do të ketë lojtarë të rinj, do t’iu jepen mundësitë e përfaqësimit të fanellës kuqezi.

Tashmë edhe Kosova ka projektin e vet dhe do të jetë e suksesshme. Pra, do të punojmë në dy fronte dhe prurje do të kemi më pak. Ky brez lojtarësh nuk ka dhënë akoma më të mirën e vet, ndaj mund të vazhdojë akoma, edhe për disa vite. Kosovën e ndoqa pjesën e parë, pastaj m’u desh të vij këtu. Do të shkoj ta ndjek “live” të hënën, në Prishtinë”.

Më shumë nga Kombëtarja